2009-10-24 13:29:37

Çmimi “Prinici i Asturias” shkrimitarit Ismail Kadare


(24.10.2009 RV )Shkrimtari shqiptar, 73-vjeçari Ismail Kadare, është nderuar sot me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsinë" (Prince of Asturias Award for Letters), - i konsideruar si një nga çmimet me prestigjoze në botë, në një ceremoni solemne, e cila u mbajt , në Teatrin Campoamor të Oviedo-s (Spanjë).
"Inspiruesi i lirisë, përballë totalitarizmit", - ka qenë motivacioni i çmimit, dorëzuar shkrimtarit Kadare, nga Princi i Asturias, Don Felipe de Borbón, - i cili mbylli ceremoninë pas laureimit të tetë personaliteteve të tjera në fusha të ndryshme të jetës, me një fjalim që tradicionalisht konsiderohet si, ngjarja më e rëndësishme që Ai realizon përgjatë vitit.
Në fjalën e tij, shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e nderimit me anën e këtij çmimi për letërsinë, përmendi ndër të tjerash se "20 vite më parë në vendin tim komunist, në qoftë se një shkrimtar shqiptar do të merrte një çmim në Spanjë dhe do të nderohej nga princi trashëgimtar, fillimisht do të prangosej dhe do të çohej në çmendi".
Por kjo, - tha Kadare, - do të ishte e keqja më e vogël. Sipas një versioni të dytë ai do të përfundonte në hetuesi dhe më pas në torturë.
Kadare ndër të tjerash tha se sistemi totalitarist ndërpreu marrëdhëniet me botën, por "Një kalorës i vetmuar, duke shpërfillur ligjet e botës kapërcente, sa herë të donte, kufirin e pakapërcyeshëm. Besoj se e merrni me mend, se për kë e kam fjalën?" - ngriti një pyetje retorike, shkrimtari Ismail Kadare, për të vijuar më tej se ai ishte pikërisht "Don Kishtoti".
Don Kishoti e kapërcente kufirin shqiptar, pasi ishte i pavarur - theksoi më tej në referatin e tij, Ismail Kadare - duke bërë një sintezë krahasuese midis sistemit totalitar dhe veprës së mirënjohur të shkrimtarit Migel Servantes, "Don Kishoti".
"Mendja jonë e ka të vështirë të kapë vlerat dhe përmasat e tij... Mendja e ngushtë propagandiste, e ka të vështirë të pranojë paralelizmin me pavarësinë e vërtetë, të një qenieje të pavarur...".
Në përmbyllje të fjalimit të tij prej rreth 10 minutash, mbajtur në podiumin e Teatrit "Campoamor" të Oviedo-s, Kadare bëri një krahasim midis "Republikës së Letrave" apo fushës së letërsisë dhe botës reale, të cilat sipas tij, "janë rivale. Ajo realja ka armët e saj si censurën, doktrinën, burgjet. Arti, gjithashtu ka mjetet e tij, protestat dhe veglat. "Por në asnjë rast, e theksoj në asnjë rast, letërsia dhe arti, nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi 'luftojnë' që ta bëjnë më të jetueshme dhe më të bukur. Ky është dallimi absolut midis tyre, dhe në këtë rast një dallim i tillë nuk është gjë tjetër, veçse konfirmimi im më sublim i pavarësisë së vërtetë të artit", përmbylli referatin e tij, Kadare.
Gjithsej 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për këtë çmim që fondacioni "Prince of Asturias" ua akordon "atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë".
Çmimet Prínci i Asturias, u krijuan në vitin 1981, për punën shkencore, teknike, kulturore, sociale dhe humane të realizuar nga persona, grupe pune apo institucione në arenën ndërkombëtare. Secili prej Çmimeve Prínci i Asturias, përfshin një çmim prej 50 mijë euro, skulpturën e krijuar dhe dhuruar për këtë qëllim nga Joan Miró, një diplomë dhe një emblemë akredituese.
Vitin e kaluar, fituesja e Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë ishte kanadezja, Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave./a.gj/


KADARE NJE PREJ SHKRIMTARËVE ME TE MIRE EVROPIANE TE TE GJITHA KOHERAVE

 
-Princi i Asturias, Don Felipe de Borbón, vlerëson shkrimtarin e madh Kadare ne ceremoninë e dhënies së çmimit-

TIRANË, 23 Tetor/2009ATSH-Edmond Prifti/.-Princi i Asturias, Don Felipe de Borbón, vlerësoi fjr në ceremoninë e nderimit në Teatrin "Campoamor" të Oviedo-s në Spanjë, shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, si "një prej shkrimtarëve më të mirë evropianë të të gjitha kohërave, që e përshkruan me mjeshtëri situatën e vendit nga ai vjen, Shqipërisë."
Ceremonia solemne u mbajt në Teatrin "Campoamor" të Oviedo-s në Spanjë dhe u transmetua drejtpërdrejt nga stacionet televizive spanjolle. Në fjalën e tij, Princi i Asturias, Don Felipe de Borbón, theksoi gjithashtu se, përveç konditave të vështira të vendit të tij, ai diti se si të spikaste duke krijuar karaktere dhe ngjarje, të cilat i shkojnë për shkas, pasi letërsia nuk është thjesht argëtuese, por së pari thuhet se ajo përcjell mesazhe.
"Puna e tij si shkrimtar dhe poet janë të admirueshme, njëkohësisht edhe esetë dhe shkrimet e tij, mbi Ballkanin dhe Greqinë e Lashtë, janë të admirueshme. Vepra e Kadaresë, universalizon problemet dhe aspiratat e këtyre sistemeve, të këtyre vendeve për të cilat ai ka shkruar si dhe për përpjekjet për të mbrojtur, për të mos humbur atë çka as arti,as letërsia dhe askush tjetër nuk mund ta ndalojë: Lirinë", - përfundoi fjalimin e tij, Princi Don Felipe de Borbón.


KADARE, SHKRIMTARI EPOKË
/Portret/

TIRANË, 23 Tetor/ATSH-Flora Nikolla/.- Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, kanditat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara legjendë në letërsinë shqipe si ,"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perendive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash.
Kadare është nderuar me titullin e lartë "Nderi i Kombit", ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie, apo edhe i Akademisë së Berlinit. Fitues i çmimit "Man Booker International Prize" në vitin 2005, çmimi më prestigjoz në botën anglishtfolëse, Kadare, 73 vjeç, kandidat disa herë i çmimit Nobel në letërsi, u nderua më 24 qershor të këtij viti me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias", ndër më prestigjiozët në letërsi.
Kadare e kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Histori- Filologjisë, në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", e më pas drejtoi revistën "Les letres albanaises".
Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit që prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern. Ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq, vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë, i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin "Kronikë në gur" (1970), Kadare kritikoi psikologjinë provinciale, ndërkohë që probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela "Emblema e dikurshme" (1977), "Ura me tri harqe" (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).
E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani "Dimri i madh" (1977). Veprat më të mira të Ismail Kadaresë janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.
Por, edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
"Frymëzime djaloshare" (1954), "Ëndërrimet" (1957), "Endërr industriale" (1960), "Shekulli im" (1961), "Poemë e blinduar" (1962), "Përse mendohen këto male" (1964), "Shqiponjat fluturojnë lart" (1966), "Motive me diell" (1968), "Koha" (1976), "Shqipëria dhe tri Romat", përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë. (vijon)


KADARE, SHKRIMTARI EPOKË
/Portret/ (VAZHDIM)

TIRANË, 23 Tetor/2009ATSH-Flora Nikolla/.- Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e tij është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar. Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria dhe tri Romat" e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi, poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në mjedise të ndryshme.
Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.
Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj.
Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".
Vepra të Kadaresë
Frymëzime djaloshare - 1954
Shekulli im - (1961)
Gjenerali i ushtrisë së vdekur - roman- 1963 Përse mendohen këto male - 1964 Dasma - 1968 Motive me diell - (1968) Kështjella - roman - 1970 Kronikë në gur - roman - 1971 Koha (1976) Dimri i madh - roman - 1977 Ura me tri harqe - 1978 Prilli i thyer - 1980 Gjakftohtësia - përmbledhje novelash - 1980 Koha e shkrimeve - 1986 Koncert në fund të dimrit - 1988 Vepra Letrare - 1981-1989 Dosja H - 1990 Piramida - 1992 Shqipëri - 1995 Pallati i ëndrrave - 1996 Dialog me Alain Bosquet - 1996 Spiritus - roman- 1996 Kushëriri i engjëjve - ese- 1997 Poezi - 1997 Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë - ese- 1998 Tri këngë zie për Kosovën - triptik - 1998 Ikja e shtërgut - tregim - 1999 Qorrfermani - roman - 1999 Vjedhja e gjumit mbretëror - tregime - 1999 Ra ky mort e u pamë - ditar për Kosovën, artikuj, letra - 2000 Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) - biseda - 2000 Breznitë e Hankonatëve - 2000 Bisedë përmes hekurash - 2000 Elegji për Kosovën - 2000 Lulet e ftohta të marsit - roman - 2000 Unaza në kthetra - 2001 Eskili, ky humbës i madh - 2001 (ribotim) Qyteti pa reklama - roman - 2001 Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut - roman - 2002 Pasardhësi - roman - 2004 Identiteti evropian i shqiptarëve - 2006 Hamleti, princi i vështirë - Sprovë - 2006.
Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.