Me 24 tetor, kalendari Kishtar kremton Shën Antonin Maria Klaret.
(24.10.2009 RV) Shën Antoni lindi në Katalonjë të Spanjës më 23 dhjetor 1807,
në një familje endësish katalanë, të cilëve Zoti u kishte falur dhjetë fëmijë. U shugurua
në vitin 1835, në moshën 28 vjeç. Në vitin 1839 shkoi në Romë, ku i drejtoi Propaganda
Fides lutjen të dërgohej si misionar atje ku kishte më shumë nevojë. Si nuk mundi
ta plotësonte këtë dëshirë, u kthye në atdhe, ku predikoi në të katër anët e vendit,
duke fituar një popullaritet të jashtzakonshëm. Në vitin 1849 themeloi kongregatën
apostolike ‘Bijtë e Zemrës së Papërlyer të Zonjës së Bekuar’, që sot njihen si ‘Misionarët
Klaretianë’, të cilët në fillim të mijëvjeçarit të tretë kryejnë misionin e tyre në
65 vende të ndryshme ndër të pesë kontinentet. Në vitet 1936-39, gjatë luftës
civile spanjolle, 271 nga sivëllezërit e tij u mbytën për shkak të mbrojtjes së fesë.
Ndërmjet tyre spikasin 51 martirët e Barbastros, shpallur të Lum nga Gjon Pali II
më 1992. Në vitin 1849 u emërua kryeipeshkëv i Santjagos në Kubë, që asokohe i
përkiste kurorës spanjolle. Arriti në vendin e ri të misionit në shkurt të vitit 1851.
Iu desh të përballonte problemet e rënda morale, fetare e shoqërore që prisnin prej
kohe zgjidhje në jetën e banorëve të ishullit, si bashkëjesta pa kurorë, varfëria,
skllavëria, padija etj etj, të cilave u shtoheshin dy fatkeqësi edhe më të rënda të
natyrës: thatësira e termetet. Përshkoi katër herë me radhë dioqezën e vet, i shoqëruar
nga një grup misionarësh vërtetë të shenjtë. Fuqizoi punën e seminarit për formimin
e klerit, nxiti zhvillimin e bujqësisë, duke botuar libra profesionalë e duke ngritur
edhe një fermë-model në Kamaguej. Krijoi në çdo famulli arkat e kursimit, vepër pioniere
për Amerikën Latine. Promovoi edukimin, duke kërkuar institute fetare e duke krijuar,
së bashku me të Nderuarën Maria Antonia Paris, Kongregatën e Rregulltareve të Zojës
së Papërlyer (Misionaret klaretiane). Për shkak të mbrojtjes të të drejtave të Kishës
dhe të njeriut, nisi të sulmohet nga politikanët e padenjë e njerëzit e korruptuar.
E kështu filluan për të kërcënimet e atentatet, në njërin nga të cilët, në Holguin,
u plagos rëndë në fytyrë. Në vitin 1857 mbretëresha i bëri thirrje të kthehej në Madrid
si rrëfyes i saj. Ai u kthye e vijoi të predikojë Ungjillin në kryeqytet e në gjithë
gadishullin. I internuar në Francë, arriti së bashku me mbretëreshën në Paris, ku
vijoi predikimin e lajmit të mirë. Pastaj u nis në Romë ku, duke marrë pjesë në Koncilin
I të Vatikanit, mbrojti me zjarr pagabueshmërinë e Papës së Romës. U rikthye në Francë,
ku nisi revolucioni e me të, edhe një persekutim i ri për Shenjtin. U strehua në kuvendin
e Fortfruad pranë Narbonës, ku mbylli shenjtërisht sytë më 24 tetor 1870. Mbi varr
i skalitën fjalët e Papës Gregori VII: “E desha drejtësinë e e urreva poshtërsinë,
prandaj po vdes në internim”. Trupi i tij nderohet në Shtëpinë Nënë të Klaretianëve
në Vik - Barcelonë. U shpall shenjt më 8 maj 1950 nën papninë e Piut XII, i cili e
quajti: “Njeri i madh, i lindur për të sheshuar kundërshtimet; me trup të vogël, por
me shpirt vigan; modest në dukje, por me aftësi të tilla, që u impononin respekt edhe
njerëzve më të mëdhenj të tokës; me karakter të fortë, por jo pa ëmbëlsinë e njeriut
që di të bëjë pendesë; përherë në praninë e Zotit, edhe ndër veprimtaritë më të zakonshme;
i sharë e i admiruar, i lavdëruar e i persekutuar, gjithnjë i ndriçuar nga drita më
ëmbël e kësaj bote: devocioni për Nënën e Zotit”.