2009-10-24 12:15:22

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të ‘B’


(24.10.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të dielës, kësaj here të dielës së 30-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Porosia e pjesë ungjillore të kësaj së diele është kjo: si të verbrit të Jerihonit, Bartimeut, Jezusi çdo njeriu i dhuron dritën e vërtetë të jetës. Kështu Krishti na bënë të aftë ta pranojmë misterin e tij në fe e Atë ta ndjekim në rrugën e jetës. Bartimeu i verbër për të cilin flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku 10,46-52 është simboli i njeriut që hapet ndaj fesë dhe është i gatshëm të ndjek Jezusin. Të ngriturit e tij në këmbë në thirrjen e Jezusit, shpërblehet me dritën e syve. Të shohësh, e sidomos të shohësh Zotin, kjo është shpresa e mbrame e fesë. Një i verbër bëhet mësues i atyre që shohin e dëshmon se feja shpëton.
 
Leximet biblike të kësaj së diele janë nga:Jer 31,7-9; Ps 126(125); Heb 5,1-6; Mk 10,46-53).

Feja që shpëton. Ecja e besimit!

Përshkrimi profetik i kthimit të të mërguarve në atdheun e tyre lexohet nga liturgjia nga një këndvështrim ungjillor. Jezu Krishti është ai që i thërret të gjithë, të dobëtit, të gjymtuarit, të verbrit, drejt kthimit të madh duke i mbushur me ngushëllim dhe me gëzim.

Mes rreshtave të leximit të parë kuptohet lehtë se ato rreshta mund të jenë tiparet e kthimit drejt të cilit jemi të thirrur edhe ne të gjithë dhe vazhdimisht. Besimi është një kthim: duhet të përshkojmë edhe një herë prapakthehu rrugëtimin që ndërmorëm kur u larguam nga Perëndia i gjallë dhe i vërtetë. Është lirimi i skllavërimit përulës, zbulimi i një gëzimi të harruar më parë do të thotë perceptimi i krahëve të Atit që të përqafojnë dhe bëjnë të ndiesh rishtas dashurinë e tij.
Nëse leximi i parë vë në dukje një aspekt të itinerarit të kthimit që është ai i nismës së Zotit që e paraprin njeriun dhe ia afron atij falas, ungjilli nënvizon pjesëmarrjen dhe përgjigjen aktive të njeriut, duke e përshkruar shërimin e të verbrit në kuadrin e një itinerar katekumenal.

Ky itinerar fillon me një dukje të Jezusit në horizontin e njeriut; është e rëndësishme që Jezusi të kaloj andej (krah. Mt. 20, 30). Por një dukje e tillë është misterioze: i verbëri i cili simbolizon njeriun në rrugëtimin e vet të besimit nuk e sheh Jezusin por vetëm e percepton atë nëpërmjet intuitës së tij (rreshti 47), por në të njëjtën kohë ai shpreh besimin e vet në nismën shpëtimprurëse të Zotit. Kjo hapje për pranimin e Zotit, kundërshtohet me forcë nga bota që e rrethon dhe është i nevojshëm një guxim i madh të qëndrosh i patundur në vendimin e marrë.
Kandidati është në qendër të vëmendjes të atyre që e ftojnë të dhe i zbulojnë thirrjen e Zotit dhe së fundi dialogu final: Çfarë dëshiron?
Sot të ndjekësh Zotin nuk është punë e lehtë dhe nëse deri dje kjo ka qenë më e lehtë, sot falë progresit teknologjik, qarkullimit të ideve jo stabiliteti shoqëror, ekonomik dhe kulturor bëjnë që një fe e qëndrueshme të vihet në rrezik.
Një fushë e madhe veprimi hapet për të gjithë ne dhe thirrja e leximeve në njëfarë mënyre na bënë që ta jetojmë besimin si një marrëdhënie personale dhe shpëtimprurëse me Hyjin e gjallë, që na është zbuluar në Jezu Krishtin e vdekur e të ngjallur për shpëtimin tonë.
Le të bëjmë të tonat fjalët e psalmit të liturgjisë së kësaj të diele, duke besuar me ngulm se në këtë risi njerëzore, Zoti do të bëjë që të lulëzojë mbretëria e tij. Vepra të mëdha bëri Zoti për ne!

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 31, 7-9
 
Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 126
 
Punë të mëdha bëri Zoti për ne
----------
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
----------
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
----------
Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
----------
Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
----------

Leximi i dytë Heb 5, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.
Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.”
Fjala e Zotit.


Ungjilli Mk 10, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.
Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigji i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.