Editorial i atë Federiko Lombardit: “Afrika: përtej Sinodit”
(25.10.2009 RV)Përfundon nesër
Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën. Pikërisht sfidave që ky sinod i vë përpara Kishës
në Afrikë, drejtori ynë i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko
Lombardi ua kushton komentin javor. Ta dëgjojmë: “Pas tri javësh intensive,
ipeshkvijtë e mbledhur në Romë kthehen në vendet e tyre. Me mesazhin e me serinë e
propozimeve të miratuara nga etërit sinodalë kemi në dorë rezultate të përkohshme,
në pritje të dokumentit përfundimtar të Papës, në muajt e ardhshëm. Rruga e Kishës
në Afrikë hyn në një etapë të re. Sinodi nuk deshi t’i diskutojë të gjitha
problemet e Afrikës, megjithëse diskutoi shumë prej tyre. U përqëndrua në temën e
tij kryesore: Kisha në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e të paqes. Si të bëhemi
vërtet forcë shpirtërore nxitëse e përparimit dhe e zhvillimit të gjithanshëm në paqe?
Përmes ndërhyrjeve të etërve sinodalë, dolën në dritë shumë përvoja pozitive e të
bukura, shpesh të ushqyera nga urtia tipike afrikane, e cila duhet ripropozuar e njohur,
si mbështetje për shpresën. Sipas nesh, tani, nevoja më urgjente është kjo: të kalohet
nga fjalët e konceptet e mëdha në përvojën konkrete të jetës, në historitë për t’u
treguar e në këngët për t’u kënduar, që gëzimi i pajtimit, etja për drejtësi dhe festa
e paqes të bëhen ndjenja të jetës së përditshme në të gjithë kontinentin. E
pastaj duhet edhe solidariteti i Kishës universale. Kryeipeshkvi i Kinshasës, Monsenguo
na tha se rruga solidare me Afrikën ndërtohet duke kërkuar e vlerësuar jo aq burimet
materiale të Afrikës, “lëndët e saj të para”, se sa “lëndën e saj gri”, trurin, pra
mendjen e zemrat e banorëve. Në respektimin e dinjitetit, përgjegjësisë dhe protagonizmit
të drejtë të afrikanëve. Pas Sinodit duhet të impenjohemi të punojmë të gjithë jo
vetëm “për” Afrikën, por sidomos “me” Afrikën".