2009-10-24 14:46:44

"Compendium Eucharisticum" për etërit e Sinodit Afrikan


(25.10.2009 RV)RealAudioMP3 Të premten, të gjithë etërve të Sinodit për Afrikën iu shpërnda “Compendium Eucharisticum” – Një përmbledhje eukaristike, që porsa u botua nga Kongregata për Kultin e Shenjtë dhe disiplinën e sakramenteve. Kopja e parë iu dorëzua Atit të Shenjtë Benediktit XVI nga kardinali Antonio Kanjizares Lovera, prefekt i kësaj Kongregate. Sikurse shpjegoi vetë prelati teksti nuk paraqet asgjë të re përsa i përket normave liturgjike, por është vetëm një përmbledhje të asaj çka thuhet në tekstet themelore lidhur me këtë çështje. Fillimisht në latinisht, “Përmbledhja” do të botohet së shpejti edhe në gjuhë të tjera e do t’i shpërndahet ipeshkvijve të të gjithë botës. Po, cilat janë synimet baritore të “Përmbledhjes eukaristike”? Në mikrofonin tonë flet vetë kardinali Kanjizares Lovera. Ta dëgjojmë:

El sinodo de los obispos....
Përgjigje: Sinodi i ipeshkvijve mbi Eukaristinë pati kërkuar që të botohej një “Përmbledhje eukaristike” në mënyrë që vëmendja të përqëndrohej tek ajo që është zemra e Kishës Katolike: Eukaristia. Prandaj duhej gjallëruar feja e besimi, - në vazhdimësi me traditën, - në misterin Eukaristik, si burim e kulm i jetës së krishterë të të gjithë Kishës. Duhej të bëheshin të njohura burimet liturgjike kryesore, edhe për një kuptim të saktë, për kremtimin dhe adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament. Kjo u pat kërkuar nga Sinodi i ipeshkvijve dhe Papa e mirëpriti siç shihet edhe tek Thirrja Apostolike e mbas Sinodit “Sacramentum Caritatis”. Iu bë thirrje Kongregatës e cila punoi për këtë “Compendium” tek i cili përmblidhen parimet doktrinore: duke filluar prej premtimit të Eukaristisë të Jezusit kur flet për Bukën e Jetës tek Ungjilli sipas Shën Gjonit, e duke përfshirë edhe ato që janë parimet themelore të doktrinës së krishterë të shprehura në Koncilin e Trentos e që përfshihen si në Katekizmin e Kishës Katolike ashtu edhe në Përmbledhjen e Katekizmit të Kishës Katolike. E gjitha kjo krijon një unitet doktrinor që është edhe misteri i fesë sonë, misteri i Eukaristisë, në mënyrë që katekizmi t’i trajtojë këto tema, në mënyrë që të njihen cilat janë pikat themelore që nuk mund t’i harrojmë e që prej këndej pastaj të arrijmë tek një katekizëm i përshtatshëm, në mënyrë që populli i krishterë ta përjetojë misterin eukaristik duke e vënë në qendër të jetës së vet.
Pastaj në pjesën e dytë të “Përmbledhjes” gjenden edhe tekstet liturgjike kryesore, mbi të gjitha ato të Ritualit Romak, në vazhdimësi me trashëgiminë që shpreh i vetmi Ritual Romak, që është edhe Lex orandi –(Rregullat e Lutjes) e në të njëjtën kohë edhe Lex credendi –(Rregullat e Besimit). Rituali romak këtu është në dy forma: në atë të zakonshme e në atë të jashtëzakonshme. Në fund pastaj përfshihen edhe hymnet e uratët, që i paraprijnë kremtimit të Meshës Shenjte por edhe shumë e shumë uratë të tjera, që shprehin fenë e gjallë të popullit të krishterë, jo vetëm në çastin kur kremtohet Eukaristia, por edhe kur adhurojmë të Shenjtnueshmin.

Pyetje: Hirësi, teksti a përmban të reja lidhur me rregullat liturgjike?

Non hay ninguna novedad
Përgjigje: Nuk ka asnjë të re. Këtu thjeshtë përmblidhet ajo çka beson, kremton dhe përjeton Kisha në Misterin Eukaristik. Është një përmbledhje. Dhe kjo është fjala që e shpreh më mirë, që përmbledh më mirë e më bukur atë që thuhet në tekstet themelore dhe kryesore, që përmbledh atë çka Kisha beson dhe përjeton, që është edhe qendra e të gjithë Kishës, e të gjithë jetës së krishterë, sepse vetëm duke u nisur nga Eukaristia mund të kemi një Kishë të gjallë.

Pyetje: Hirësi, kujt i drejtohet kjo “Përmbledhje”? A do t’i shpërndahet ajo ipeshkvijve në mbarë botën?

Sera distribuito a los obispos de todo el mundo...
Përgjigje: Sigurisht që do t’u shpërndahet të gjithë ipeshkvijve në mbarë botën dhe do të botohet edhe në gjuhët kryesore. Së pari botimi latinisht, si gjuhë zyrtare e Kishës, por qysh tani po përgatiten edhe përkthimet në gjuhët kryesore të Kishës.

Pyetje: Si e priti Ati i Shenjtë Racinger këtë “Përmbledhje” kur ia dorëzuat?

Con mucha alegria...
Përgjigje: Me shumë gëzim e priti edhe sepse pa se kjo dëshirë e Sinodit dhe e tij personale u realizua. Për më tepër kjo rastisi me kremtimin e këtij Sinodi që padyshim do të jetë një shtytje e madhe për Kishën në Afrikë, thjesht për faktin se kur jetohet Eukaristia, pajtimi dhe paqja, atëherë Drita e botës është e pranishme në mesin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.