2009-10-22 13:02:15

“Të krishterët të jenë dëshmitarë të mbrojtjes së Gjithësisë”: kështu i shkruan Papa Patrikut Bartolomeu I për Simpoziumin mbi ambientin në Luizianë.


(22.10.2009 RV)RealAudioMP3 Thirrja për të krishterët, që të dëshmojnë në botë përgjegjësinë për mbrojtjen e Gjithësisë dhe kujtimi për uraganin Katrina. Ky është mesazhi që Papa Benedikti XVI i dërgoi dje Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, për hapjen e Simpoziumit mbi fenë, shkencën dhe ambientin në Nju Orleans të SHBA-ve. Tema e tij është “Restaurimi i ekuilibrit: Lumi i madh Misisipi”. Mesazhi u lexua nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Gregori Majkëll Ajmond.
“Të krishterët – shkruan Ati i Shenjtë – duhet të bashkohen për t’i ofruar botës dëshminë bindëse për përgjegjësinë para mbrotjes së Gjithësisë dhe për të bashkëpunuar me çdo mënyrë që Toka të ruajë të paprekur gjithçka i ka dhuruar Zoti: madhështi, bukuri e bujari”. Zgjidhja e krizave ekologjike të kohës sonë – shpjegon Papa – kërkon pa tjetër ndryshimin e thellë të mënyrës së jetesës, pasi problemet e ambientit kanë të bëjnë me çështje politike, ekonomike, teknike e shkencore me natyrë etike.
Duke cituar enciklikën “Caritas in veritate”, Ati i Shenjtë kujton se natyra është përparësi për të gjithë dhe duhet trajtuar me respekt. Nëse zhvillimi është thjesht ekonomik e teknologjik, pasojat janë negative për individë, popuj e për vetë botën. Zhvillimi i vërtetë njerëzor, thekson Benedikti XVI, kërkon drejtësinë ndërmjet brezave dhe solidaritetin me burrat e gratë e së ardhmes, të cilët kanë të drejtë t’i gëzojnë të mirat, që Zoti i ka dhënë me bujari.
Papa kujton uraganin Katrina, i cili më 29 gusht 2005, pikërisht në Nju Orleans shkaktoi dëme e viktima të mëdha dhe shpreh afërsinë e tij sidomos me të varfërit, që e kanë vuajtur më shumë këtë tragjedi.








All the contents on this site are copyrighted ©.