2009-10-22 10:49:30

Sot me 22 tetor kalendari Kishtar kujton Shën Donatin e Fiezoles.


(22.10.2009 RV) Donati lindi në Irlandë aty nga fundi i shekullit VIII në një familje fisnikësh të krishterë. I shtyrë nga dëshira për t’u bërë i krishterë i përkryer, në vitin 816 u largua nga familja e nga atdheu e nisi të shtegtojë në vise të ndryshme. Shkeli si shtegtar edhe në Romë.
Si e realizoi këtë dëshirë, mori rrugën e kthimit në atdhe e në shtëpinë atërore. Por pikërisht në sa po kthehej, arriti në Fiezole kur populli po zgjidhte ipeshkvin e ri. Çuditërisht fiezolanët zgjodhën shtegtarin e udhëve të largëta. Ishte viti 829. Ai do të vijonte ta drejtonte dioqezën e Fiezoles për 40 vjet me radhë, deri në vdekje.
Qe njeri i letrave dhe ushtroi ndikim të fuqishëm mbi shkollën e ngritur në Firence nga Lotari. Shkroi shumë vepra, nga të cilat arriti deri në ditët tona vetëm një epitaf i shkruar për varrin e tij, shumë i çmuar për njoftimet autobiografike që përmban, një besojmë poetike, të cilën ua pati lexuar miqve para se të vdiste, si dhe lavdet për Shën Brigjidën, pajtore e Irlandës.
Vdiq në Fiezole ndërmjet viteve 874- 877 e u varros në katedralen e vjetër të qytetit, tek këmbët e kodrës, në kapelën kushtuar Shën Romulit. Më 1817 u mbart në katedralen e re, të ngritur mbi kodër. Kisha fiezolane e kremton më 22 tetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.