Sinodi për Afrikën. Një ipeshkëv nga Kameruni flet kundër korrupsionit
(22.10.2009 RV)Edhe sot, vazhdojnë
me dyer të mbyllura, punimet e Sinodit të ipeshkvijve për Afrikën. Nesër do të mblidhet
asambleja e 18-të e përgjithshme për paraqitjen dhe votimin e Mesazhit përfundimtar.
Ndër temat kryesore që trajtuan Etërit sinodalë, një nga më të rëndësishmet është
ajo e ambientit. Në fakt, shpyllëzimi dhe tharja e tokës kërcënojnë zona të mëdha
të kontinentit. Ndër vendet që e vuajnë këtë proces është edhe Kameruni, ku po vazhdon
demokratizimi gradual, por i vështirë. Intervistuam kryeipeshkvin e dioqezës kameruneze
të Bamendës, imzot Kornelius Fontem Esua. Ta dëgjojmë: Gjëja më interesante
është se erdhëm këtu si të ishim Kulla e Babelit e kthehemi në shtëpi të bashkuar.
Si t’i përballojmë problemet? Sinodi për mua është një moment i veçantë Hiri hyjnor,
që na bëri të kuptojmë se problemet që kemi në një vend janë edhe në tjetrin, prandaj
duhet punuar sëbashku. Të gjitha nevojat për të cilat kemi diskutuar, janë edhe nevoja
të Kamerunit. Fatmirësisht në vend nuk kemi konflikte etnike: është bekim! Por, shoqëria
civile nuk është e kënaqur; procesi demokratik është pak i ngadaltë e nuk i jep shumë
hapësirë lirisë së shprehjes dhe mundësisë për të zgjedhur partinë që preferon: njerëzit
janë praktikisht të detyruar të zgjedhin partinë qeverisëse. Mendoj se në këtë fushë
kemi nevojë për pajtim. Pastaj kemi edhe problemin e drejtësisë, pasi sidomos të rinjtë,
janë viktima të korrupsionit: 80% e tyre nuk ka punë, pasi puna gjehet vetëm me njohje. A
dëgjohet zëri i Kishës? Nganjëherë po, ne nuk e mbyllim gojën. Kemi shkruar
një Letër baritore mbi korrupsionin dhe mbi bazën e saj kemi filluar një program formimi,
sidomos në shkolla. Duhet t’i bëjmë të rinjtë të vetëdijshëm se problemet e korrupsionit
mund të zgjidhen vetëm me anë të një formimi, që t’u mundësojë ndryshimin e shoqërisë
së të nesërmes. Në Sinod u fol edhe për ambientin. Fenomene si shpyllëzimi
ose tharja e tokës janë të pranishme edhe në Kamerun, apo jo? Ky problem ekziston
në jug të Kamerunit, ku eksportimi i drurit nga pyjet tona nuk bëhet me përgjegjësi.
Eksportohet në Evropë, sidomos në Francë. Priten pemët e vendi kthehet në shkretëtirë.
Janë pemë, që duan 100 vjet për t’u bërë si janë sot e nuk mendohet për nesër.