2009-10-22 14:09:42

Sekretari i Vatikanit, kard. Bertone: të ndihmohen besimtarët ta rizbulojnë vlerën e Rrëfimit


(22.10.2009 RV)RealAudioMP3 “T’ ndihmosh besimtarët të rizbulojnë vlerën e Pagëzimit e të Rrëfimit do të thotë t’i ndihmosh të jenë të vetëdijshëm për forcën që Krishti u dhuron atyre për të luftuar me efikasitet kundër mëkatit e strukturave të tij që e dëmtojnë dhe shëmtojnë botën.
Në anën tjetër, me Sakramentin e Pagëzimit e të Rrëfimit, besimtarëve u ofrohen mjetet shpirtërore për të ndërtuar e formuar njerëzimin sipas frymëzimit të kulturës së jetës e qytetërimit të dashurisë”. Kështu tha mes tjerash dje pas dite Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, me rastin e paraqitjes së vëllimit “Pendestaria Apostolike dhe Sakramenti i Pendesës” botuar nga Libraria e Vatikanit: takimi u mbajt në selinë e Gjykatës së Pendestarisë.
Kardinali Bertone nënvizoi edhe vlerën ‘shoqërore’ të sakramentit të Pajtimit. Kështu, në dritën e këtij vëllimi, analizoi “perspektivat aktuale baritore që kanë të bëjnë me sakramentin e Rrëfimit, në shoqërinë komplekse post-moderne”. “Këtyre ditëve - shpjegoi kardinali - liturgjia na fton të meditojmë letrën e shën Palit apostull drejtuar Romakëve. Ai na flet pikërisht për kushtet e vuajtjet e padurueshme të cilave i është nënshtruar njeriu, që gjenden në prirje mes mëkatit e hirit të Zotit, mes detyrës për të bërë mirë e dëshirës dhe mundësisë së zbatimit të së keqes, e cila mjerisht është gjithmonë e pranishme në jetë.
Zoti - siç pohon shën Pali - i drejtohet vazhdimisht njeriut duke i ofruar forcën e hirit hyjnor për t’i shëruar plagët e ekzistencës së tij; mirëpo njeriu, kur e refuzon ndihmën hyjnore, priret përherë ta ndërtojë në mënyrë autonome lumturinë e vet, së cilës nuk do t’ia arrijë kurrë në mënyrë përfundimtare e të plotë. E atëherë njeriu priret të kënaqet me gëzimet e lumturitë e pjesshme e kalimtare, shpesh edhe dëmshme, që dalë nga dalë e çojnë drejt vdekjes”.
Këtu kardinali Bertone nënvizoi “urgjencën e një kumtimi të përtërirë të Ungjillit që prek thellësitë e shpirtit të njeriut dhe ndihmon, në rend të parë të krishterët, të jetojnë me gëzim e përkushtim fenë e tyre në Zotin e atë ta dëshmojnë në çdo situatë e mjedis të jetës”. Në këtë kontekst - përfundoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - “sakramenti i faljes dhe gëzimit, shfaq në mënyrë të dukshme e të prekshme ngadhënjimin e përhershëm të dashurisë së Zotit mbi fuqinë e së keqes; e krijon forca përtëritëse të përdëllimit hyjnor që sjell paqen e gëzimin në zemrën njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.