Imzot Frano Illia, kryeipeshkvi i parë i Shkodrës pas-komunizmit, në 12 vjetorin e
vdekjes.
(22.10.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin
historik, sot me 22 tetor, përkujtojmë 12 vjetorin e vdekjes së Imzot Frano Illisë,
kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës në vitet 1993- 1997, Imzot Frano Illia
lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18
dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa
më 25 prill 1968 u dënua me vdekje. Datë e shënuar në jetën e tij është 25 prilli
i vitit 1993, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, shndërruar në burgim të përjetshëm,
do të shugurohej ipeshkëv nga dora e vetë Papës Gjon Pali II gjatë vizitës së paharrueshme
e historike në Shqipëri.. Imzot Frano Illia u bë kështu kryeipeshkvi i parë metropolit
i pas-diktaturës në Shkodër. Fitoi edhe titullin Profesor për punën e tij të palodhur
në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Skëndërbeut, vepër që pa dritën e shtypit
shumë vjet pasi ishte përgatitur për botim. Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë,
dom Franoja, njeriu që ia kushtoi gjithë jetën elterit e kulturës kombëtare, Fesë
e Atdheut. Kërkonte me këmbëngulje nga katolikët shenjtërimin e jetës e në kultivimin
e kulturës. Shenjtërimit e kulturës i shërbeu gjithë jetën, duke punuar me kujdesin
e dashurinë më të madh në misionin e tij meshtar, në njërën anë përherë besnik ndaj
Ungjillit të Krishtit e në anën tjetër duke mos e lëshuar kurrë penën nga dora. La
kështu pas një vepër që vijon t'i shërbejë kombit e popullit të vet, "Kanunin e Skandërbegut".
Sot, në dymbëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë se imzot Frano Illia,
ishte njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë. La pas veti edhe shembullin e punëtorit
të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi tërë jetën me vëllezërit e
besimeve të tjera, për të mirën e përbashkët e në emër të bashkimit kombëtar.
Duke
ecur në gjurmët e traditës së krishterë ndër shqiptarë, Imzot Franoja jo vetëm që
nuk hezitoi të fliste për vëllazërí të sinqertë e ruajtjen e bashkëjetesës në Shkodër
e Shqipëri, por edhe organizoi personalisht mbrojtjen e ndërtesave të kultit të qytetit
verior, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë islame të ruanin Kishat e duke nisur
meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të Shkodrës. Ishte një ngjarje e paparë ndonjë
herë në historinë e kombit shqiptar kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave
të 1997-tës. Kryeipeshkvi Frano Illia Jetoi me moton: "Edhe sikur të më premtojnë
njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë". Moto kjo që ruan ende sot vlerën
e aktualitetit. Vdiq më 22 tetor 1997.