2009-10-21 17:21:58

Sinodi për Afrikën drejt përfundimit, Ipeshkvi i Kairos: të rifllojmë ungjillëzimin nga Egjipti


(21.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sinodi për Afrikën. Ipeshkvi i Kairos kërkon rigjallërimin e ungjillëzimit për të mos i kthyer Kishat veriafrikane në monumente të arkeologjisë së krishterë.
Punime me dyer të mbyllura, sot, në Sinodin e Ipeshkvijve për Afrikën, që vijon në Vatikan, kushtuar temave të pajtimit, drejtësisë e paqes. Sot paradite Etërit sinodalë u mblodhën në seancën e Grupeve të vogla për përgatitjen e përmbledhjes së Propozimeve përfundimtare, të cilat u paraqitën në formë të përkohshme. Pasdite këto tekste u shqyrtuan nga referuesi i përgjithshëm dhe nga referuesit e Grupeve të vogla.
Ndërkaq, në diskutimin e tij, ipeshkvi i Kairos së kaldenjve, në Egjipt, imzot Jusef Ibrahim Sarraf, kërkoi që Kishat lindore e ato të Afrikës veriore të mos katandisen në monumente të arkeologjisë së krishterë, por të vijohet edhe sot veprimtaria e ungjillëzimit, që nisi në Egjipt me Shën Markun apostull. “Duhet të rrahim fort gjoksin, për një ‘mea maxima culpa’, domethënë, për të pranuar se kemi shumë faj në këtë drejtim – pohoi ipeshkvi Sarraf në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Ungjillëzimi nisi nga Egjipti – ungjillëzimi i parë - nga Shën Marku; e pastaj dalë-nga-dalë zbriti më poshtë, deri në Numibi, e atje u ndalua. Ja pse po kujtoj ‘mea maxima culpa’ – fajin tonë, sepse u ndaluam atje: për shkaqe antropologjike, historike e kështu me radhë.

Pyetje: - Mendoni se sot është tepër vonë?

Përgjigje: - Nuk është kurrë tepër vonë! Duhet të jemi misionarë, të shkojmë e të ungjillëzojmë. Ky është mandati që kemi marrë nga Zoti. Ai na fton të shkojmë e ta ungjillëzojmë mbarë botën: jo një epokë, por mbarë botën, deri në mbarim të kohëve. E unë mendoj se është pikërisht kjo, që duhet të bëjnë Kishat Lindore katolike. Shpirti Shenjt do të na shoqërojë, ashtu si i shoqëroi Apostujt, që nuk dinin gjuhën, nuk dinin asgjë, e megjithatë predikuan në mbarë botën. Nuk duhet të flasim ne, si njerëz, por përmes njeriut, duhet të flasë vetë Zoti, për të kumtuar Jezu Krishtin.

Pyetje: - Si jeton Kisha katolike në Egjipt?
 
Përgjigje: - Kisha katolike në Egjipt është pakicë, pakicë e pakicës. Popullsia është afërsisht 85 milionë banorë, ndërmjet të cilëve, 10-12 milionë janë të krishterë koptë ortodoksë, gjithsesi, të krishterë. Nga këta të krishterë, vetëm 200-250 mijë janë katolikë, të ndarë në shtatë rite. Gjithsesi kemi shkolla – 166 shkolla katolike, kemi spitale, dispanseri, ambulanca. Kisha katolike respektohet shumë, sepse përpiqet të dialogojë e të jetojë në frymën e bashkimit: shtatë rite, që jetojnë si një bashkësi e vetme! Por duhet sqaruar edhe se katolikët që 30-40 vjet më parë, kanë nisur ta braktisin Egjiptin, të emigrojnë, sidomos në SHBA, në Kanada e në Australi. Kjo është e rëndë, sepse vendit i iku kryesisht truri, inteligjencia. E shumkush vijon të mendojë se jashtë mund të jetohet më mirë. I këshilloj të gjithë të mbeten në vendin e tyre e t’i japin ndihmesën e nevojshme, për ta siguruar këtu jetën më të mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.