Me 21 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gasprin e Bufalos, meshtar
(21.10.2009 RV)Shën Gaspri i Bufalos
lindi në Romë më 6 janar 1786, e që i vogël iu kushtua lutjes e pendesës. I ati ishte
kuzhinier i princit Altieri; e ëma merrej me punët e familjes. Ishe ajo që i dha të
birit një edukatë të vërtetë të krishterë. I shuguruar meshtar më 31 korrik 1808,
u specializua në ungjillëzimin e karrocierëve e të banorëve të katundeve romake. U
dënua me internim, sepse nuk pranoi të betohej për besnikëri ndaj Napoleonit e kaloi
katër vjet në burgjet e Bolonjës, Imolës e Korsikës. Fatin e tij e pati më pas
vetë perandori francez, që u internua në Ishullin e Shën Helenes, ku edhe vdiq. Ndërsa
shenjti i ardhshëm u kthye në Romë, ku Papa Piu VII i besoi detyrën të përshkonte
Italinë duke predikuar e duke iu kushtuar posaçërisht misioneve popullore. Tepër i
devotshëm i Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, më 15 gusht 1815 themeloi Kongregatën
e Misionarëve të Gjakut të Krishtit. Rregulltarët e këtij urdhri i kushtohen predikimit
dhe mësimdhënies. Në vitin 1834, së bashku me Marinë de Matia, themeloi degën femërore
të Kongregatës: “Motrat e adhurimit të Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit”. Vdiq
në Romë më 28 dhjetor 1837. U shpall shenjt nga Papa Piu XII më 12 qershor 1954.