2009-10-21 17:19:11

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme flet për Shën Bernardin: njeriu e gjen më lehtë Zotin me lutje se me diskutim.


(21.10.2009 RV)RealAudioMP3 Papa në audiencën e përgjithshme flet për Shën Bernardin e Kiaravales: teolog i vërtetë e ungjillëzues është ai, që e mbështet kokën mbi zemrën e Jezusit.
Sot paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa ia kushtoi katekizmin Shën Bernardit të Kiaravales (1090-1153), i cili “numërohet ndërmjet Dijetarëve të Kishës e njihet si një nga Etërit e saj të fundit, që mblodhi, me aftësi e urti, trashëgiminë e pasur të doktrinës patristike”. Arriti ta përtërinte thellë jetën murgare të kohës; u kujtoi me vendosmëri murgjërve nevojën e një jete të thjeshtë e të matur, duke i porositur të kujdesen posaçërisht për të varfërit; i mori nën mbrojtje hebrenjtë, duke dënuar haptazi ripërhapjen e antisemitizmit; iu kundërvu herezisë së Katarëve të cilët, duke përbuzur materien, përbuznin vetë Krijuesin. Por Papa vuri theksin mbi dy aspekte kryesore të Doktrinës së Bernardit, atë të Jezusit e të Marisë.
Për Bernardin – tha Ati i Shenjtë – Hyji mund të njihet përmes përvojës vetjake, të thellë, të takimit me Jezu Krishtin e me dashurinë e tij. E kjo – shtoi Benedikti XVI – vlen për çdo të krishterë:
“... feja, mbi të gjitha është takim personal, i thellë, me Jezusin, përvojë e afërsisë së tij, e miqësisë e tij, e dashurisë e tij. E vetëm kështu njeriu mëson ta njohë gjithnjë më shumë, ta dojë e ta ndjekë gjithnjë më mirë”.
Duke folur për Virgjërën Mari, Shën Bernardi kujton në radhë të parë pjesëmarrjen e saj në Mundimet e Krishtit, gjë që ua kalon shumë herë vuajtjeve fizike të martirizimit. Murgu i lashtë – pohoi Papa – nuk ka asnjë dyshim: ‘per Maria ad Iesum’: Maria na prin te Krishti. Ai, sipas mariologjisë tradicionale, pohon qartë se Zoja e Bekuar i bindet në gjithçka Jezusit. Por nënvizon edhe vendin e zgjedhur të Virgjërës në planin e shëlbimit, si pasojë e pjesëmarrjes tejet të veçantë të Nënës (compassio) në flijimin e Birit.
Reflektimet e Shën Bernardit, murgut të dashuruar me Jezusin e Marinë – nënvizoi Papa – edhe sot e kësaj dite vijojnë të ndikojnë pozitivisht jo vetëm mbi teologët, por edhe mbi të gjithë besimtarët:
“Nganjëherë – sqaroi Ati i Shenjtë – pretendohet se çështjet themelore mbi Zotin, mbi njeriun e mbi botën, mund të zgjidhen vetëm me forcën e arsyes”.
Ndërsa Shën Bernardi, duke u mbështetur fuqimisht mbi Biblën dhe mbi Etërit e Kishës, na kujton se pa besimin e thellë në Hyjin, të ushqyer nga lutja, nga kundrimi e nga lidhja e ngushtë me Zotin, reflektimet tona mbi misteret hyjnore ka rrezik të përfundojnë në një ushtrim të kotë intelektual e ta humbasin besueshmërinë e tyre. Teologjia të çon tek ‘shkenca e shenjtorëve’, tek intuita e tyre për misteret e Zotit të gjallë, tek urtia e tyre, dhuratë e Shpirtit Shenjt, që bëhen pikëmbështetje e mendimit teologjik:
“Së bashku me Bernardin e Kiaravales – vijoi Papa – edhe ne duhet të pranojmë se njeriu e kërkon më mirë Zotin dhe e gjen më lehtë me lutje, sesa me diskutim”.
Në fund të fundit, figura më e vërtetë e teologut dhe e çdo ungjillëzuesi mbetet ajo e Shën Gjonit Apostull, që mbështeti kokën mbi zemrën e Mësuesit.

Gjatë përshëndetjeve të zakonshme, drejtuar mijëra besimtarëve e shtegtarëve, të pranishën në audiencë, një mendim i veçantë për besimtarët polakë të cilëve, duke u kujtuar Sinodin për Afrikën, Papa u tha këto fjalë: “Siç e dini, Kisha në këtë Kontinent, pavarësisht nga vështirësitë e ndryshme, rritet vazhdimisht. Jo vetëm që e përhap dhe e thellon fenë në Krishtin, por edhe ndihmon popujt, që vijojnë të vuajnë nga varfëria, nga konfliktet, nga mungesa e shkollimit dhe e mbrojtjes së shëndetit. Uroj, prandaj, të mos i mungojë mbështetja jonë shpirtërore e materiale”.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI përshëndeti edhe studentët e shoqatës ndërkombëtare të Arecos “Rondine, Qytezë e paqes”, të cilët i dorëzuan një Dokument me 14 pika për paqen në Kaukaz.
Në fund, Ati i Shenjtë i uroi mirëseardhjen një delegacioni të Patriarkanës ortodokse të Bullgarisë, duke i drejtuar një përshëndetje vëllazërore në atdhe, Patrikut Maksim.







All the contents on this site are copyrighted ©.