2009-10-20 16:31:00

Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën: paraqitet lista e propozimeve përfundimtare. Thirrje për paqen në rajonin e Liqeneve të Mëdha.


(20.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sinodi i Ipeshkvijve për Afrikën, i cili vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë e paqes po shkon drejt përfundimit . Sot, gjatë sesionit të 17-të të përgjithshëm, u paraqit lista e propozimeve përfundimtare. Dokumenti, akoma i përkohshëm, do të votohet në ditët e ardhshme. Në praninë e Papës Benedikti XVI, etërit sinodalë bënë edhe një thirrje për paqen në rajonin e Liqeneve të Mëdha.
Në letrën e presidencës së Sinodit për këtë qëllim, drejtuar edhe ipeshkvijve të Somalisë, ku kohët e fundit janë kryqëzuar të krishterë, thuhet se “Mos vra” është një nga Urdhërimet e Tënzot të shkruara në zemrën e njeriut. Gjuha e armëve të zëvendësohet me atë të dialogut.
Edhe në propozimet përfundimtare, paqja e pajtimi janë fjalët kryesore. Sinodi aktual përkufizohet si “Sinodi i Rrëshajve”. Etërit sinodalë reflektojnë mbi dialogun ekumenik e ndërfetar, në veçanti me Islamin. Kërkohet respektimi i lirisë së kultit dhe ftohen përgjegjësit e popujve të mos etnicizojnë ose politizojnë fenë. E më tej: të kthehen kishat e pronat e konfiskuara të Kishës, t’i thuhet “jo” fondamentalizmit.
I rëndësishëm edhe raporti me Fetë Tradicionale Afrikane, për të cilat kërkohet një studim më i thellë e krahasimi me teologjinë. Por Kisha dënon ashpër praktikat e ekzoterizmit dhe të magjisë.
Më pas, etërit sinodalë kërkojnë që të ndalet “ikja e trurit”, duke ngritur qendra të vlefshme akademike, urohet falja e borxhit të jashtëm dhe mbështetet mikrokrediti.
Duhet studiuar Doktrina Shoqërore e Kishës, theksojnë ipeshkvijtë, të cilët i japin hapësirë edhe mbrojtjes së ambientit, ndalimit të trafikut të armëve, mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve dhe etikës së globalizimit.
Në Propozimet përfundimtare urohet që demokracia të përhapet në të gjithë Afrikën, të garantohen zgjedhje të lira e liderët fetarë të qëndrojnë jashtë konflikteve.
Dokumenti, që është akoma i përkohshëm, bën thirrje për mbrojtjen e familjes, shpesh në rrezik nga përhapja e mentalitetit abortist dhe nga mosvlerësimi i amësisë. Po mendohet për një Federatë Panafrikane të familjeve katolike. Flitet edhe për problemin e Sidës, duke nënvizuar se ajo nuk është thjesht çështje farmaceutike, por temë e zhvillimit të gjithanshëm dhe të drejtësisë. Ipeshkvijtë kërkojnë për të sëmurët afrikanë, të njëjtin trajtim si për të sëmurët e pjesës tjetër të botës.
Etërit sinodalë i kushtojnë vëmendje dënimit me vdekje, i cili duhet hequr krejtësisht, dhe kërkojnë që të trajtohen me dinjitet të burgosurit. Duke folur për Kishën në veçanti, kërkohet më tepër vëmendje për seminaristët e për meshtarët, që të jenë imazh i gjallë e i vërtetë i Krishtit e të jetojnë duke respektuar rregullat e Kishës. Propozimi i fundit ka të bëjë me komunikimin: kërkohet që Kisha të jetë më e pranishme në media dhe që gazetarët të kenë formimin e nevojshëm etik.







All the contents on this site are copyrighted ©.