2009-10-20 16:32:09

Imzot Miliore në OKB: të respektohen traditat dhe kultura e popullsive indigjene


(20.10.2009 RV)RealAudioMP3 Është e nevojshme të merren në konsideratë nevojat shoqërore, personale dhe shpirtërore të rreth 370 milion indigjenëve që jetojnë në botë: kjo është thirrja, që Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, kryeipeshkvi Çelestino Miliore i drejtoi Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbledhur në sesionin e saj të 64-t. Ai nënvizoi rëndësinë që ka kuptimi dhe respektimi i traditave kulturore të këtyre popullsive.
Në kohë ndryshimesh e krize ekonomike, theksoi imzot Miliore, duhet favorizuar një model zhvillimi, që të shmangë shkatërrimin e tokës dhe shfrytëzimin e ambientit për interesa ekonomike afatshkurtëra. Industria nuk duhet të veprojë për të dëmtuar të drejtat e popullsive indigjene, të cilat kanë pasur gjithnjë një respekt të madh për Gjithësinë dhe për jetën njerëzore. Edhe dialogu kulturor me to nuk duhet bazuar mbi logjikën e mbizotërimit.
Sipas Vëzhguesit të Selisë së Shenjtë në OKB, akoma duhet bërë reforma agrare për këto popullsi, duhet investuar në infrastruktura, ujitje, në trasport e teknologji. Së fundi, imzot Miliore foli për luftën kundër Sidës, temë e Ditës botërore të popullsive indigjene për vitin 2009. Për të fituar kundër kësaj pandemie, tha ai, duhet më shumë edukim për të parandaluar transmetimin e virusit, duke përfshirë bashkësitë lokale e duke respektuar vlerat morale të bazuara në natyrën e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.