2009-10-20 16:44:48

Enciklika e Piut XII për dinjitetin e njeriut e kundër luftës ‘Summi Pontificatus’, botuar 70 vjet më parë.


(20.10.2009 RV)RealAudioMP3 Si sot, më 20 tetor 1939, Papa Piu XII nënshkruante enciklikën e tij të parë, Summi Pontificatus. Eugjenio Paçelli ishte zgjedhur në Katedrën e Pjetrit vetëm prej disa muajsh e, prej disa javësh, me pushtimin nazist të Polonisë, kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore. Një pjesë të rëndësishme të kësaj Enciklike programatike, Papa Piu XII ia kushton pikërisht temës së paqes e kundërvënies ndërmjet Krishterimit e totalitarizmit. Mbi këtë dokument, që edhe 70 vjet pas botimit mbetet jashtëzakonisht aktual, flet historiani nga Universiteti romak “La Sapienza” Françesko Malgjeri.....
Shpërthimi i luftës, e i kësaj lufte, që ishte luftë e lidhur me një vizion ideologjik, e bënë Papën të ndërhyjë me këtë enciklikë në të cilën, në një farë mënyre, ideja e paqes është e lidhur edhe me refuzimin e idesë së totalitarizmave e saktësisht me idenë - tha atëherë Papa Piu XII - “e një botëkuptimi, që i jep Shtetit autoritet të pakufizuar”. E prandaj, pikërisht këtë vizion të totalitarizmit në Evropë e gjykon si element, që favorizonte konfliktet. Çështja ishte sidomos ajo e ripohimit të të drejtave të njerëzve, ajo e nevojës së një marrëveshje dhe të një bashkëjetese paqësore ndërmjet popujve”.


Në realitet, në enciklikën “Summi Pontificatus”, Papa nënvizon këtë kundërvënie ndërmjet qytetërimit të dashurisë - qytetërimit të krishterë - dhe dhunës ideologjike të totalitarizmave...


“Arsyeja që do të përsëritet edhe në dokumentet e mëvonshme të këtij pape - posaçërisht mendoj për radiomesazhet e tij për Krishtlindje, duke u nisur nga viti 1939 deri në vitin 1942, ku përvijohet plani i një bashkësie ndërkombëtare të frymëzuar pikërisht nga respektimi i drejtësisë, i së drejtës; mendoj për radiomesazhin, siç ishte edhe ai i vitit 1944, në të cilin kemi një thirrje të saktë mbi vlerën e demokracisë si një sistem i frymëzuar edhe nga vizioni i krishterë, i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve e ndërmjet popujve”.
Kujtojmë se kjo enciklikë e Piut XII, do të përdoret, ripohohet, aktualizohet edhe në magjisterin e papëve të mëvonshëm, nga Gjoni i XXIII deri tek Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.