2009-10-20 16:30:20

Benedikti XVI miraton Kushtetutën Apostolike, për t’iu përgjigjur kërkesës së besimtarëve anglikanë që dëshirojnë të hyjnë “në bashkim të plotë” me Kishën katolike.


(20.10.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI miratoi një Kushtetutë Apostolike, që do të botohet së shpejti, për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të priftave e besimtarëve anglikanë që dëshirojnë të hyjnë “në bashkim të plotë e të dukshëm” me Kishën katolike. Kështu njoftoi sot paradite, kardinali Wiliam Levada, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për doktrinën e fesë, gjatë një takimi në Sallën e Shtypit të Vatikanit të përqendruar në marrëdhëniet me anglikanët.
Kardinali Levada shpjegoi se Ati i Shenjtë Jozef Racinger ka vendosur një strukturë kanonike që “parashikon një bashkim korporativ përmes themelimit të Ordinariateve (Dioqezave) Personale, që do t’u mundësojnë besimtarëve anglikanë të hyjnë në bashkimin e plotë me Kishën katolike”, duke ruajtur elementet e “trashëgimisë e të pasurisë shpirtërore e liturgjike të veçantë anglikane”. “Kisha katolike - shtoi kardinali Levada - dëshiron kështu t’u përgjigjet kërkesave të shumta që i janë paraqitur Selisë së Shenjtë nga ana e grupeve të besimtarëve anglikanë, të ardhur prej viseve të ndryshme të botës. Kushtetuta Apostolike, e cila do të botohet së shpejti, përfaqëson një përgjigje të “arsyeshme e madje të domosdoshme ndaj një fenomeni global, duke ofruar një model të vetëm kanonik për Kishën e gjithmbarshme që i përshtatet situatave të ndryshme lokale”. E kardinali Levada shtoi:
“Një model i tillë parashikon mundësinë e shugurimit të priftave të martuar në bashkësinë anglikane si meshtarë katolikë. Arsyet historike dhe ekumenike nuk lejojnë shugurimin e burrave të martuar për ipeshkëv si në Kishën katolike e po kështu edhe në atë ortodokse. Prandaj Kushtetuta Apostolike përcakton se në krye të ordinariatit mund të jetë ose një prift ose një ipeshkëv i pa martuar”.
Ordinariatet apo Dioqezat do të themelohen, sipas nevojës,vetëm pas një këshillimi me Konferencat ipeshkvnore lokale, e strukturat e tyre në një farë mënyre do të jenë të ngjashme me Ordinariatet (dioqezat) Ushtarake. Një rëndësi e posaçme do të ketë mes tjerash edhe përgatitja e seminaristëve:
“Seminaristët e Ordinariatit do të përgatiten bashkë me seminaristët e tjerë katolikë, megjithëse Ordinariati do të mund të hapë shtëpi formimi për t’iu përgjigjur nevojave të veçanta të formimit sipas trashëgimisë anglikane”.
Në këtë mënyrë - lexohet në deklaratën e Kongregatës së Doktrinës së Fesë - Kushtetuta Apostolike kërkon të krijojë një drejtpeshim mes “interesit për ruajtjen e trashëgimisë së çmueshme anglikane liturgjike e shpirtërore dhe shqetësimit që këto grupe e kleri i tyre të jenë të përfshirë në Kishën katolike”. Papa - përfundoi kardinali Levada -shpreson që “priftërinjtë dhe besimtarët anglikanë që e dëshirojnë bashkimin me Kishës katolike” të gjejnë në strukturat kanonike “mundësinë për t’i ruajtur ato tradita anglikane që janë të çmueshme për ta e në përputhje me fenë katolike”.
Në Londër, praktikisht në të njëjtën kohë me konferencën që u mbajt në sallën e shtypit në Vatikan, është mbajtur një takim me shtypin anglezë e janë botuar të njëjtat dokumente që u shpallën në Romë. Ishin të pranishëm kryeipeshkvi katolikë i Westminsterit, Vincent Nikhols, e kryeipeshkvi i Kanterbërit e primati i Bashkimit anglikan, Rowan Williams, të cilët nënshkruan një deklaratë të përbashkët. Ishte i pranishëm edhe ipeshkvi anglikan i Guildfordit, Christopher Hill. Në fjalën e tij gjatë konferencës së shtypit, kryeipeshkvi Rowan Williams ka nënvizuar rëndësinë e punës së përbashkët:
Para së gjithash, dua të them se jam mirënjohës për mundësinë e të qenurit së bashku me ju, këtë paradite, për të komentuar së bashku njoftimin që vjen nga Roma. Vet fakti se jemi në gjendje ta bëjmë këtë, edhe një herë së bashku - si sot paradite - është i një rëndësie të veçantë në vetvete: na thotë se argumentet e pyetjet që çdo Kishë e krishterë ka e duhet t’i përballojë, në këtë moment, në realitet janë e kanë të bëjnë me të gjithë ne. Për këtë, gjëja e parë që dua të them është e një rëndësie të madhe: ajo që ndodhi sot nuk është një element prishjeje e prerje në marrëdhëniet ndërmjet bashkësive tona. Puna e zhvilluar nga Komisionet ndërkombëtare, Anglican Roman Catholic International Commission (Arcic) dhe International Anglican Roman Catholic Commission for Unity and Mission (Iarcum) mbi unitetin dhe misionin e Kishave tona, këtë punë - siç i pëlqen të thotë kardinalit Cormac Murphy-O’Connor, ish kryeipeshkëv i Westminsterit - tashmë e kemi vendosur në mënyrë të qartë si themel për konsolidimin e vijimin e marrëdhënieve tona.
Dialogu zyrtar në zhvillim e sipër ndërmjet Kishë katolike e Bashkimit anglikan ofron bazat për vazhdimin e bashkëpunimit, nënvizoi kryeipeshkvi i Westminsterit e primati i Bashkimit anglikan Williams.
Një tjetër element i rëndësishëm që përforcon lidhjen është ai i dialogut në nivelin lokal ndërmjet Konferencave ipeshkvnore të Anglisë e Uellsit dhe House of Bishops të Kishës së Anglisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.