2009-10-19 17:41:30

Papa në Engjëllin e Tënzot, në Ditën Misionare Botërore, theksoi se Kisha duhet t’ia kumtojë Ungjillin mbarë njerëzimit.


(19.10.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha është e thirrur t’ia kumtojë shpresën ungjillore mbarë njerëzimit: dje, në sa kremtohej Dita Misionare Botërore, Benedikti XVI nënvizoi se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë Ungjillin të gjithëve, posaçërisht atyre, që nuk e njohin ende. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe misionarët, që e shkrijnë jetën mes njerëzve më të vuajtur e më të braktisur të shoqërisë njerëzore, në të katër anët e botës; e, në mënyrë të posaçme, don Ruxhero Ruvoleto-n, vrarë në Brazil dhe atë Majkëll Sinot, rrëmbyer në Filipine.
Papa kujtoi temën e zgjedhur për Ditën Misionare Botërore, shkëputur nga Libri i Zbulesës: “Kombet do të ecin në dritën e Tij”. Kjo dritë – nënvizoi – është drita e Zotit, që u zbulua nga Mesia e pasqyrohet në fytyrën e Kishës.
“Është drita e Ungjillit, që orienton hapat e popujve e u prin drejt realizimit të një familjeje të madhe, në drejtësi e paqe, nën atësinë e një Zoti të vetëm, të mirë e të mëshirshëm. Prandaj është Kisha, për t’ia kumtuar këtë lajm shprese mbarë njerëzimit, i cili në kohët tona ka arritur fitore mahnitëse, por duket se e ka humbur kuptimin e realiteteve të fundme e të vetë ekzistencës (Gjon Pali II, Enc. Redemptoris Missio, 2)”.
Kështu Papa deshi të kujtonte misionarët e misionaret, priftërinjtë e rregulltarët, rregulltaret e laikët vullnetarë, që ia kushtojnë gjithë jetën përhapjes së Ungjillit në të katër anët e botës, duke përballuar vuajtje e vështirësi, madje nganjëherë edhe persekutime të mirëfillta:
“Mendoj ndërmjet tjerëve – tha Papa - për don Ruxhero Ruvoleton, meshtar fidei donum, vrarë kohët e fundit në Brazil e për atë Majkëll Sinot, rregulltar i rrëmbyer pak ditë më parë në Filipine. E nuk mund të mos mendoj edhe për atë që po dëgjojmë në Sinodin e Ipeshkvijve për Afrikën, për flijimet më të mëdha e për dashurinë më të thellë ndaj Krishtit e Kishës së tij. I falënderoj Veprat Misionare për shërbimin e çmuar që i japin gjallërimit dhe formimit për jetën misionare”.
Prej këndej, ftesa e Papës drejtuar mbarë të krishterëve për t’u dhënë ndihmesën e tyre materiale e shpirtërore Kishave të reja të vendeve më të varfëra. E udhëhequr nga Shpirti Shenjt – vijoi të shpjegonte Papa – Kisha e di se është e thirrur të vijojë veprën e vetë Krishtit, duke kumtuar Ungjillin dhe Mbretërinë e Hyjit:
“Kjo mbretëri është tashmë e pranishme në botë si forcë dashurie, lirie, solidariteti, respekti për dinjitetin e njeriut; e bashkësia kishtare e ndjen thellë në zemër sa është urgjente të punohet, që sovraniteti i Krishtit të realizohet plotësisht. Të gjitha gjymtyrët e saj duhet të bashkëpunojnë për këtë projekt, sipas gjendjeve të ndryshme të jetës e karizmave të ndryshme”.
Dita Misionare Botërore – pohoi Ati i Shenjtë – tingëllon si thirrje e fuqishme për t’u impenjuar, që Ungjilli t’u kumtohet të gjithëve, posaçërisht atyre që nuk e njohin akoma.
Papa kujtoi, më pas, se dje kremtohej edhe festa e Shën Lukës Ungjilltar i cili, përveç Ungjillit, shkroi edhe Veprat e Apostujve, për të dëshmuar përhapjen e mesazhit të krishterë deri në kufijtë më të largët të botës, që njihej asokohe:
“Të kërkojmë ndërmjetësimin e tij, njëherësh me atë të Shën Françesk Saverit e të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, pajtorë të misioneve, e sidomos ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, që Kisha ta vijojë veprimtarinë për përhapjen e dritës së Krishtit në gjirin e mbarë popujve. Ju kërkoj të luteni për Asamblenë e Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën, që vijon këto javë në Vatikan”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke u folur besimtarëve të gjuhës italiane, Papa iu drejtua në mënyrë të posaçme Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit, që kremtuan 400-vjetorin e vdekjes së themeluesit të tyre, Shën Gjon Leonardit. Me ta përshëndeti edhe nxënësit e të gjitha Kolegjeve të Propaganda Fides, shoqëruar nga kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, si dhe farmacistët, që e kanë Pajtor Shën Gjon Leonardin. Papa i nxiti ta ndjekin pas në rrugën e shenjtërisë e t’i përngjasin në zellin misionar.Përshëndeti edhe ‘Bashkësitë e Çenakullit”, që ndihmojnë prej kohe të rinjtë e rënë në kurthin e drogës, për të rigjetur rrugën e jetës, duke u takuar me Jezu Krishtin. Së fundi, përshëndetja drejtuar pjesëmarrësve në një takim, kushtuar Motu proprios ‘Summorum Pontificum, mbajtur këto ditë në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.