2009-10-19 18:07:08

Panairi i librit në Frankfurt: Don Kosta flet për rezultate pozitive të Shtëpisë Botuese të Vatikanit.


(19.10.2009 RV)U mbyll dje në Frankfurt, Panairi i 61-të i Librit. Në këtë ngjarje të madhe për kulturën, morën pjesë rreth shtatë mijë ekspozues, që pëfaqësonin më se njëqind kombe, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën. E pranishme edhe Shtëpia Botuese e Vatikanit. Drejtori i saj, don Gjuzepe Kosta, flet, në mikrofonin tonë, për një bilanc pozitiv në takimin e rëndësishëm kulturor:

Përgjigje: - U takuam me rreth 60 botues nga të katër anët e botës e mund të themi se realizuam 150 takime: kështu u tërhoq vëmendja e botuesve mbi të 150 librat e Shtëpisë Botuese të Vatikanit. Është, prandaj, një bilanc pozitiv, që na inkurajon ta vijojmë rrugën tonë, e cila ka si qëllim kryesor, të mbështesë magjisterin e Papës, duke pasur parasysh, në radhë të parë, katekizmin, fjalimet e dokumentet e ndryshme të Atit të Shenjtë, pa harruar edhe disa libra të vegjël, me udhëzime pedagogjiko-edukative. Kështu Shtëpia Botuese e Vatikanit fiton një rol të ri, bëhet urë që furnizon ide, projekte, të cilat më pas kalojnë në nivel operativ nga botuesit e Kishave vendase.

Pyetje: - Gjatë panairit, Shtëpia Botuese e Vatikanit organizoi një forum mbi lidhjet e editorisë me veprat e Jozef Racinger, para e pas fillimit të papnisë...

Përgjigje: - Vërejtëm se po duket një aspekt i dytë i mësimit të Papës Benedikti. Një mësim i përbërë nga përshpirtëria e nga shenjtëria: dmth vepra i profesorit Racinger bëhet më shpirtërore, duke e nxitur mbarë bashkësinë kishtare drejt shenjtërisë. Gjithsesi veprat akademike të Jozef Racinger vijojnë të ngjallin interesimin e studiuesve. E këtë e vërejmë përmes botimit të vepave të Papës në vende të ndryshme të botës. E vërejtëm se lexuesve u pëlqen të njihen edhe me katekizmin papnor të së mërkurës, pikërisht sepse u ndihmon të meditojnë, të gjejnë fjalë drite, fjalë që u prijnë në rrugën e fesë!







All the contents on this site are copyrighted ©.