2009-10-19 18:54:17

Në Romë, një film për atë Popielushkon, 25 vjet pas vrasjes. Intervistë me regjisorin.


19.10.2009 RV)Ishte 19 tetori i vitit 1985 kur, në Poloninë që jetonte dramën e kalimit nga regjimi totalitar, në demokraci, u gjet trupi pa jetë i atë Jershi Popielushkos, kapelan i sindikatës Solidarnosh, torturuar e vrarë. Filmi ‘Popielushko’ i regjisorit Rafael Vieçinski, kushtuar meshtarit martir, vrarë nga emisarët e regjimit, u paraqit sot pasdite në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Romë. E pyetëm Rafael Vieçinskin pse u shfaq pikërisht sot ky film, kushtuar njërit prej meshtarëve më të njohur e ç’vështirësi hasi për realizmin e tij:

Përgjigje: - Gjëja më e vështirë ishte, pa dyshim, fakti i shikimit të realitetit të asokohshëm, me sytë e një meshtari, me sytë e një njeriu, që kishte një mision për të kryer; pastaj fakti se duhej bashkuar sfondi i ndërlikuar historik i epokës, me vizionin dhe me mënyrën e tij të veprimit, gati-gati mistike. Për rreth 20 vjet askush nuk e kishte shkruar të vërtetën historike për këtë periudhë të regjimit komunist, për Solidarnoshin e për rolin e Kishës në procesin e rifitimit të lirisë.

Pyetje: - Në këtë periudhë Kisha ishte tejet e lidhur me popullin, posaçërisht përsa i përket rezistencës përballë komunizmit. A ka ndryshime sot në lidhjen ndërmjet Polonisë e Kishës së saj?

Përgjigje: - Sigurisht vetëdija e pranisë së Kishës në jetën e Polonisë është ende shumë, shumë e fuqishme. Këtë e dëshmon edhe fakti se filmi po rishfaqet në kinema, edhe pasi u ndoq nga më se një milion e gjysëm shikues. U rikthye, sepse njerëzit duan ta shikojnë rishtas. Kështu pjesëmarrja në film është e madhe, ashtu si e madhe është edhe vetëdija e polakëve se bëjnë pjesë në një bashkësi të krishterë. Sot, në kohët moderne, është e lehtë të largohesh nga Kisha. Por Kisha në Poloni ka dëshmuar shumë herë se polakët ngarendin pranë saj, kur ka nevojë e, duke folur historikisht, pikërisht nën shenjën e Kishës.

Pyetje: - Ç’përgjigje do t’i jepnit atyre, që mund t’ju thonë se filmi juaj është politik?

Përgjigje: - Do të thosha se është një pyetje tejet tendecioze. Sigurisht nuk kanë munguar përpjekjet për ta përdorur emrin e atë Popieushkos në betejat politike. Por në se e vërejmë punën thellë, do të shikojmë se ai ishte njeri apolitik, sepse luftonte vetëm për lirinë vetjake të çdo njeriu, pavarësisht nga emri që mund të kishte. Shumë herë edhe regjimi u mundua ta largonte nga misioni meshtarak, duke ngulur këmbë se merrej tepër me politikë. Po ai ishte apolitik!

Pyetje: - Pra, jeni një mendjeje me presidentin Valesa, që thotë se kjo ishte vrasje politike?

Përgjigje: - Për regjimin komunist Kisha, në tërësinë e saj, shikohej si kundërshtari kryesor. Prej këndej pyetjes në se atë Jershi Popieushko vdiq për shkaqe politike, do t’i përgjigjesha: po, në atë masë, që Jezu Krishti vdiq për motive politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.