2009-10-19 17:42:48

Në Afrikë ka më shumë se 11 milion refugjatë lufte


(19.10.2009 RV)Në Afrikë, së paku 11 milion e 600 mijë vetë kanë mbetur pa shtëpi për shkak të konflikteve të armatosura. Lajmi u dha nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët, pikërisht kur sot, në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, po zhvillohet takimi mbi refugjatët e Bashkimit Afrikan.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara nënvizon se Afrika është kontinenti me më shumë luftra, prandaj ka edhe më shumë lëvizje njerëzish. Numri i refugjatëve është ulur pak gjatë viteve të fundit, por është rritur numri i personave, që detyrohen të ikin nga shtëpitë për shkak të luftës. Kështu, rriten refugjatët e brendshëm, të cilët shpesh strehohen në kampe, ku mungojnë ushqimi e uji dhe ku kushtet higjieniko-sanitare janë të këqia.
Edhe në raportin e fundit të organizatës “Oxfam International” denoncohet gjendja e vështirë e refugjatëve brenda, por sidomos jashtë vendit, si për shembull, ajo e refugjatëve somalë në vendet fqinjë, Kenia dhe Etiopi. Sipas raportit, qindra mijëra fëmijë të sëmurë janë braktisur në fatin e tyre, ndërsa funksionarët keniotë pretendojnë se po bëhet ç’është e mundur për gjetjen e një zgjidhjeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.