2009-10-19 17:41:44

Benedikti XVI: t’i jepet hov vlerave të krishtera, themel i Evropës, shpesh të ndrydhura nga grupe tensionesh, individualizmi e utilitarizmi.


(19.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Në çastin kur Evropa kremton 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duhet të thithë vlerat e trashëgimisë së saj të krishterë, në se dëshiron ta shikojë me besim e shpresë ardhmërinë”. Kështu u shpreh sot paradite Benedikti XVI në audiencën me kryetarin e delegacionit të Bashkësive Evropiane, Iv Gazò, i cili u prit në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. Është kryetari i dytë i delegacionit të Komisionit, pas ambasadorit Leitao Rito. Në fjalimin plot pasion kushtuar identitetit të Evropës, Papa nënvizoi se tradita humaniste, e rrënjosur në kristianizëm, është forca e Kontinentit të Vjetër.
Kisha – tha Benedikti XVI – dëshiron ta shoqërojë ndërtimin e Bashkimit Evropian; ja pse merr guximin të kujtojë cilat janë vlerat themelore e kushtetuese të shoqërisë evropiane, në mënyrë që të promovohen për të mirën e të gjithëve. Papa u ndalua pikërisht tek këto vlera, që bënë të lindë Evropa e që kanë qenë forca e gravitetit, e cila i tërhoqi edhe kombet e tjera drejt bërthamës së vendeve themeluese:
“Ces valeurs sont le fruit d’une longue et sinueuse..”
Këto vlera – nënvizoi Ati i Shenjtë – janë fryt i një historie të gjatë e të vështirë, në të cilën - askush nuk mund ta mohojë - Krishtërimi luajti një rol të dorës së parë. Dinjiteti i njëjtë për të gjithë njerëzit; liria fetare, si themel i të gjitha lirive të tjera civile; paqja, si element vendimtar për të mirën e përbashkët e akoma, zhvillimi njerëzor si thirrje hyjnore – janë elementet qëndrore të Zbulesës së krishterë, që vijojnë ta modelojnë qytetërimin evropian:
“Lorsque l’Église rappelle les racines chrétiennes de l’Europe...”
Kur Kisha kujton rrënjët e krishtera të Evropës – saktësoi Ati i Shenjtë – nuk kërkon ndonjë status të privilegjuar për vete. Kisha i shërben kujtesës historike duke theksuar sidomos një të vërtetë, e cila është kaluar gjithnjë në heshtje: frymëzimin e krishterë të vendeve themeluese të Bashkimit Evropian. Kisha dëshiron të tregojë edhe se baza e vlerave evropiane vjen nga trashëgimia e krishterë, e cila edhe sot e kësaj dite vijon ta ushqejë Evropën. Këto vlera – nënvizoi Benedikti XVI – nuk përbëjnë një agregat anarkik ose të rastësishëm, por formojnë një të tërë të qëndrueshme, që ftillohet historikisht duke u nisur nga një vizion i qartë antropologjik:
“L’Europe peut-elle omettre le principe organique originel...”
Thua mundet Evropa – pyeti Papa – të mos e pranojë zanafillën e vlerave të saj, që i zbuloi njeriut dinjitetin e tij të lartë dhe realitetin e thirrjes së tij personale e që i hap horizontin të gjithë njerëzve, me të cilët është e thirrur të ngrejë një familje të vetme? Benedikti XVI vuri në dukje edhe rrezikun e manipulimit të këtyre vlerave nga individë e grupe, që bëjnë presion, për të mbështetur interesa të veçanta, në dëm të projektit kolektiv, të cilin e dëshirojnë të gjithë evropianët, sepse ka në themel të mirën e përbashkët të kontinentit e të mbarë botës. Ky rrezik – vijoi Papa – tashmë është përceptuar e është denoncuar nga vëzhgues të shumtë, me prejardhje të ndryshme. Ka rëndësi, atëherë, që Evropa të mos e braktisë modelin e saj të qytetërimit. Hovit të zanafillës nuk mund t’i zihet fryma nga individualizmi ose nga utilitarizmi”.
“Les immenses ressources intellectuelles, culturelles, économiques...”
Pasuritë tejet të mëdha intelektuale, kulturore dhe ekonomike të kontinentit – kujtoi Ati i Shenjtë – do të vijojnë të japin fryte, në se do të fekondohen nga vizioni i mbinatyrshëm i njeriut, thesari më i çmuar i trashëgimisë evropiane. Pikërisht kjo traditë humaniste, që i përket rrymave të ndryshme të mendimit – vërejti Papa – e bën Evropën të aftë të përballojë sfidat e së nesërmes e t’u përgjigjet shpresave të popujve. Është fjala, në radhë të parë – shpjegoi Benedikti XVI – për kërkimin e një ekuilibri të drejtë e delikat ndërmjet vlerës ekonomike, kërkesave shoqërore e mbrojtjes së mjedisit, duke pasur posaçërisht parasysh, mbrojtjen e nevojshme e të domosdoshme të jetës njerëzore, nga zënia në vdekjen e natyrshme si dhe të familjes së themeluar mbi martesën e një burri me një grua. “L’Europe ne sera réellement elle-même que si elle...”
Evropa – reflektoi Papa – nuk do të jetë vërtetë vetvetja, në se nuk do të dijë të ruajë origjinalitetin e vet, që e bëri kaq të madhe e që është në gjendje ta bëjë edhe nesër një nga faktorët kryesorë të nxitjes së zhvillimit të gjithanshëm të njerëzve, gjë që Kisha katolike e shikon si të vetmen mënyrë të mundshme për të ndrequr mungesën e drejtpeshimit të sotëm në botën tonë. Selia e Shenjtë – përfundoi Papa – ka respekt të madh për veprimtarinë e Institucioneve evropiane dhe uron që, përmes punës së tyre, ta nderojnë Evropën, e cila është diçka më tepër se Kontinent: është shtëpi shpirtërore!







All the contents on this site are copyrighted ©.