2009-10-17 16:36:13

Kisha katolike përkujtoi Shën Lukën Ungjilltar.


(18.10.2009 RV)Luka Ungjilltar, që është edhe autor i “Veprave të Apostujve”, i vetmi nga të katër ungjilltarët që nuk ishte hebre, njihet si shkrimtar i butësisë së Krishtit. Ndoshta vinte nga Antiokia e Sirisë, ku kishte marrë kulturë klasike dhe kishte studiuar për mjekësi. Ish-pagan, u kthye në fenë e krishterë nën udhëheqjen e Shën Palit, i cili e quan “Mjek i dashur, shok i shtegtimeve misionare, ngushëllues i burgimeve, kur të gjithë e kishin braktisur”.
Ungjilltari nuk e njohu Jezusin. U bazua kryesisht në rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpëdrejtë, ndërmjet të cilëve ka shumë mundësi të kenë qenë disa nga gratë që iu përgjigjen të parat lajmit të mirë, e në radhë të parë, Maria, Nëna e Krishtit. Luka ndjek me vëmendje fjalët, gjestet, heshtjen e saj.
Ungjillin e shkroi për paganët e kthyer në kristianizëm, duke theksuar universalitetin e shëlbimit dhe dashurinë e posaçme të Jezusit për të varfërit e duke dhënë edhe dëshmi origjinale për fëmijërinë e Krishtit. Në Ungjillin e Shën Lukës spikasin shembëlltyrat që tregojnë ndjeshmërinë e Zotit për të sëmurët e njerëzit që vuajnë, ndërsa në “Veprat e Apostujve” përshkruan figurën ideale të Kishës, që nuk heq kurrë dorë nga mësimet e apostujve. Apostulli-mjek e quan Krishtin ‘mjek universal’, që shëron të gjitha vuajtjet e njerëzimit, Zot të gjithëpushtetshëm, plot butësi e mëshirë. Sipas gojëdhënave, Luka duhet të ketë qenë edhe piktor e posaçërisht, autor i shumë portreteve të Zojës së Bekuar. Gjithnjë sipas gojëdhënave, thuhet se pas vdekjes së Palit, predikoi në vende ndryshme, jashtë Romës. Në të vërtetë nuk dihet asgjë e saktë për të, pas fjalëve ‘Vetëm Luka është me mua’ që Shën Pali ia shkroi Timoteut nga burgu. Por Ungjilli i tij vijon të kumtohet, së bashku me atë të Mateut, të Markut e të Gjonit në mbarë botën. E me të edhe ‘Veprat e Apostujve’. Në liturgjinë e Fjalës, gjatë Meshës shenjte që kremtohet thuajse në të gjitha gjuhët e botës, Luka vijon të predikojë edhe në ditët tona….







All the contents on this site are copyrighted ©.