2009-10-17 12:19:38

Editorial i atë Federiko Lombardit: Të shohim yjet


(17.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Astrum 2009: Astronomia dhe mjetet. Trashëgimia historike italiane 400 vjet pas Galileut”. Ky është titulli i ekspozitës së hapur më 16 tetor në Muzetë e Vatikanit, që do të mund të vizitohet deri më 16 janarin e ardhshëm. Kësaj teme i kushtohet edhe editoriali javor i drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi:
“Yjet vazhdojnë të shkëlqejnë në qiell, por është gjithnjë e më e vështirë t’i shohim nga qytetet tona, si për shkak të ndotjes së atmosferës, ashtu edhe për hir të dritave që qëndrojnë gjithnjë ndezur. Një herë e një kohë ishte e natyrshme që psalmisti të këndonte: “Kur e sodis qiellin – vepër e dorës sate, hënën e yjet që ti vendose…” (Psalmi 8). Sot ka rrezik t’i harrojmë.
Viti ndërkombëtar i astronomisë, që po vazhdon, mund të na ndihmojë të ngremë sytë drejt qiellit, dhe pjesëmarrja aktive – me konferenca dhe ekspozita – e Observatorit të Vatikanit (e famshmja “Spekola”) na inkurajon ta rigjejmë këtë hapësirë gati të natyrshme të dialogut ndërmjet shkencës dhe fesë. Drejtori i ri i Spekolës, atë Funes, na thotë se indianët e Arizonës – ku shkencëtarët kanë ndërtuar shumë observatorë për të vëzhguar qiellin e kristaltë e pa re – i quajnë astronomët “populli me sy të gjatë”, për shkak të teleskopëve. Pikërisht kështu: të gjithë duhet të zgjasim sytë, të mësuar të shohin tepër afër, për të hapur tendën që nuk na lejon ta lëshojmë veten në dorën e habisë marramendëse, të mrekullisë, të dridhjes, që zgjon thellësia e hapësirës përreth nesh. E t’i bëjmë vetes pyetjet e pashmangshme: kush jemi e ku jemi, mbi këtë planet të vogël e të brishtë, në fluturim në hapësirë e në kohë…
Në fakt, psalmisti vazhdon: “Çka është atëherë njeriu që ta kujtosh? E pra, i dhe pushtet mbi veprat e duarve tua…”. E në fund e mbyll: “O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!”
Për shumë prej njerëzve të sotëm, ky përfundim nuk vjen kaq shpejt, por të gjithë mund të rigjejnë pyetjen fillestare dhe sensin e misterit. Le t’i shoqërojmë, duke hapur e zgjatur sytë për të kërkuar përgjigjet më të thella, më të vërteta e më të bukura”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.