30-vjet më parë Nënë Tereza vlerësohej me Çmimin Nobel për paqen.
(17.10.2009 RV)Data e sotme na kujton 17 tetorin e vitit 1979, kur Juria ndërkombëtare
e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen bamirësen shqiptare,
Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën. Rregulltarja e madhe u ngjit në tribunën ku janë
ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave
të varfra indiane dhe e pranoi çmimin vetëm sepse një pranim i tillë do t'u vlente
shumë të varfërve të saj. E, kur iu desh të jepte një nga intervistat më të rëndësishme,
në tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Nënë Tereza foli në një mënyrë
krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura
të njerëzmit. Ja si e kujton e Lumja këtë ngjarje:
“Duhet të them se pranoj
të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas
për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për
të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj
një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë. Në Oslo ndodhi një mrekulli
e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim
mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me
që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj
se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”. E të gjithë së bashku nisëm
lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës
u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme:
luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë
i vogël. Më pas fola për abortin e thashë: “Po kremtojmë vitin ndërkombëtar
të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër
të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh
fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për
sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumkush interesohet për fëmijët
e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të
tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën
e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë më tha: “Mos
harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”.