Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Edvigën, rregulltare, dukeshë e Slezisë dhe e Polonisë.
(16.10.2009 RV)U lind në vitin 1174 në Bavarinë e Epërme, në familjen e dukëve
të Slezisë. Prindërit, Bertoldi e Anjeza, e çuan që në moshë të njomë në shkollën
e motrave benediktine, pranë Vyrsburgut, duke e përgatitur, kështu, për një martesë
të shkëlqyer. Ishte 16 vjeçe kur, në Vroklav të Polonisë, e lidhi jetën me djaloshin
Enrik, trashëgimtar i dukatit të Slezisë së Ultë, që njihej me nofkën ‘Mjekroshi’.
Nga kjo martesë lindën gjashtë fëmijë: Boleslau, Korradi, Enriku, Anjeza, Sofia e
Gjertruda. Por kjo nuk e pengoi aspak të bashkëpunonte ngushtësisht me të shoqin në
qeverisjen e vështirë të vendit, duke fituar menjëherë simpatinë e nënshtetasve polakë,
gjuhën e të cilëve e bëri të vetën. E nuk e pengoi as ta jetojë me fund fenë e vet,
të japë prova të thella devocioni, ta shprehë në njëmijë mënyra dashurinë për njerëzit
më të papërfillur nga shoqëria e kohës e dëshirën për t’u vënë me gjithë vetveten
në shërbim të të tjerëve. E tronditur thellë nga fatkeqësi të ndryshme familjare,
të cilat i ranë mbi kokë njëra pas tjetrës, sidomos nga rivaliteti ndërmjet të bijve,
që i vdiqën njëri pas tetri, e drejtoi familjen e shtetin me atë butësi e urti, që
burojnë nga dëshira e thellë për paqe. Kur të shoqin ia mbyllën në burg si rob lufte,
ajo nuk gjeti paqe, derisa e liroi. Pas vdekjes së tij, më 1238, gjatë një beteje
kundër mongolëve pranë Liegnizit, vijoi të punonte me të gjitha forcat për të përmirësuar
jetën e të varfërve, “Jo për të bërë një politikë të mirë – siç i thoshte së bijës,
Gjertrudes – por sepse ata janë zotëritë tanë”. Mëkatit e egoizmit i kundërvuri përvujtërinë
e asketizmin e jashtëzakonshëm. Princesha pendestare, nusja besnike, nëna e dhimbshme,
sovrania e urtë e bamirëse, vdiq në vitin 1243 e menjëherë nisi të nderohet si shenjtore,
si nga besimtarët gjermanë, ashtu edhe nga ata sllavë. Pak para se të jepte shpirt,
kërkoi ta varrosnin në varrezën e përbashkët të manastirit. Pa zbritur ende në varr,
si polakët, ashtu edhe gjermanët, nisën ta nderonin si shenjte. Çështja e lumnimit
të dukeshës Edviga nisi nën papën Urbani IV, ndërsa në aradhet e shenjtorëve u shkrua
nga papa Klementi IV në vitin 1267, kur reliket e saj u mbartën në Kishën e manastirit.
Në Martiriologun Romak për Shën Edvigën shkruhet: “Rregulltare me origjinë
bavareze e dukeshë e Polonisë, ia kushtoi gjithë jetën të varfërve, duke themeluar
për ta shumë strehë e, pas vdekjes së bashkëshortit, dukës Enrik, i kaloi vitet që
i mbeteshin për të jetuar, duke punuar në manastirin e motrave çisterçense, themeluar
prej saj, ku ishte abateshë e bija, Gjertruda. Vdiq në Trebnic të Polonisë, më 15
tetor 1243”.