2009-10-16 17:11:21

Paqja, Evropa, ambienti dhe mbrojtja e jetës – temat e audiencave të Papës me kryeministren e Ukrainës, Timoshenko dhe me Princin Albert të Monakos.


(16.10.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë princin e Monakos, Alberti II dhe kryeministren e Ukrainës, Julia Timoshenko.
Gjatë bisedimeve të përzemërta me kryeministren e Ukrainës – njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit - u prekën temat e promovimit të paqes dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar. Papa e kryeministrja u ndaluan edhe tek ndihmesa e shquar, që i jep Kisha katolike e të dy riteve, shoqërisë ukrainase, posaçërisht në fushën edukative dhe në përhapjen e vlerave njerëzore e kristiane. U fol edhe për çështje me interes të përbashkët lidhur me marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve civile e atyre fetare, duke uruar që zhvillimet pozitive të kohëve të fundit të ndihmojnë për zgjidhjen e çështjeve akoma në shqyrtim.

Në audiencën me princin e Monakos - gjithnjë sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u fol për çështje të aktualitetit ndërkombëtar, si zhvillimi i gjithanshëm i popujve, mbrojtja e pasurive natyrore e të mjedisit. Ndërmjet temave me interes të përbashkët, u vu theksi mbi rëndësinë e formimit të shëndoshë kulturor e moral të breznive të reja dhe mbi mbrojtjen e jetës në të gjitha fazat.Pas bisedimeve me Papën, kryeministrja Timoshenko e princi Albert u takuan me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone dhe me imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.