2009-10-16 17:14:30

Mesazh urimi hinduistëve për Divalin: respektimi i lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, bazë për zhvillimin e vërtetë.


(16.10.2009 RV)RealAudioMP3 Pohimi kryesor në Mesazhin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, drejtuar hinduistëve, me rastin e Festës së Divalit: “Paqja e qëndrueshme realizohet vetëm në atmosferën e lirisë”.
Është një nga festat më të lashta të botës hinduiste: simbolizon fitoren e së vërtetës mbi gënjeshtrën, të dritës mbi errësirën, të së mirës mbi të keqen, të jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen. Në këtë festë, që bashkon të gjitha familjet, besimtarët ndesin qirinj e llampa, për të theksuar se drita është gjithnjë më e fortë nga errësira.
Por, për Mesazhin, të dëgjojmë imzot Pier Luigji Çelatën, sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar:
Festa e Divalit është kremtimi më i madh i hinduistëve. Mendimi të shkon vetvetiu tek vendi, ku lindi hinduizmi e ku edhe është më shumë i pranishëm, dmth në Indi, vend në të cilin, për fat të keq, është përdorur disa here dhuna kundër të krishterëve, posaçërisht në Shtetin e Orisës”.
Duke pasur parasysh këtë situatë si dhe përkimin e mesazhit me Kongresin I Misionar Indian, Kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke iu drejtuar miqve hinduistë, kërkon thellimin e miqësisë, që nuk ka munguar edhe më parë, me prijësit e bashkësive hinduiste. Më pas, ftesa që të gjithë të japin kontributin e tyre për zhvillimin e gjithanshëm të njerëzve, duke nisur nga ata që kemi më pranë. E zhvillimi i vërtetë – pohon kardinali Toran – nuk mund të realizohet pa “respektimin e të tjerëve” e “pa njohjen e lirisë së tyre”: lirisë së ndërgjegjes, të mendimit e të fesë.Mesazhi, pasi nënvizon edhe nevojën e vullnetit politik për të punuar së bashku e për të garantuar më shumë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfundon me një thirrje në frymën e festës së Divalit: “Të gjithë së bashku, si njerëz vullnetmirë, të punojmë për të davaritur errësirën, që fsheh pamjen e vërtetë të bashkëjetesës, të harmonisë e të zhvillimit të gjithanshëm të njerëzve, pa asnjë dallim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.