Imzot Miliore OKB-së: të mos përdoren kurrë ligjet si mjet i shtypjes e të forcohet
impenjmi për mbrojtjen e fëmijëve.
(16.10.2009 RV)“Shteti i së drejtës
duhet të shërbejë si bazë për një shoqëri më të drejtë”: këtë nënvizoi dje kryeipeshkvi
Çelestino Miliore në Komisionin VI të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,
duke shtuar: “Nuk duhet harruar kurrë se pas çdo ligji të drejtë, është përherë një
vlerë, përndryshe edhe drejtësia mund të bëhet mjet i shtypjes”. Prej këndej, shteti
i së drejtës duhet të lidhet gjithnjë me parimet e drejtësisë, që ligjet të mos përdoren
si burim i shtypjes e i dhunës.Gjithnjë dje, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë
pranë zyrës së OKB-së në Nju Jork, foli për promovimin e mbrojtjen e të drejtave të
fëmijëve. Imzot Miliore i nxiti qeveritë që kanë adoptuar Konventën për mbrojtjen
e të drejtave të fëmijëve, ta vënë atë në jetë në mënyrë sa më të drejtë e të frytshme.
Prelati denoncoi se vetëm në dhjetvjeçarin e fundit, gjatë konflikteve janë vrarë
ose gjymtuar dy milionë fëmijë, ndërsa 300 mijë vijojnë të përdoren si fëmijë-ushtarë.
Të tjerë janë viktima të urisë e të dhunës, të Sidës e të analfabetizmit. E të tjerëve,
akoma, u mohohet deri e drejta e për të jetuar. Prandaj prelati kërkoi të merren masa
konkrete për mbrojtjen e fëmijëve, duke mos harruar edhe rolin e dorës së parë që
luajnë prindërit. Selia e Shenjtë - përfundoi prelati – duke ripohuar edhe një herë
shqetësimin e saj për mirëqenien e të gjithë fëmijëve e të familjeve të tyre - u kërkon
shteteve të bëjnë të njëjtën gjë, me bindjen se të gjithë fëmijët meritojnë të rriten
në një mjedis që duhet të jetë në gjendje t’ua mbrojë dinjitetin.