2009-10-15 14:39:52

Çelësi i fjalëve të Kishës: flasim për “zemrën”


(15.10.2009 RV)RealAudioMP3 Është e famshme fraza e filozofit të madh francez Paskal: “Zemra ka arësye, që arësyeja nuk i njeh” (Mendime 277). Në të vërtetë, sipas Biblës zemra përfshin edhe inteligjencën: “Zemra e të urtit kërkon mësim”, thuhet në Librin e Fjalëve të Urta (15,14). Mbreti Salomon, para se të ulej mbi fron, i kërkon Zotit “një zemër të përvujtë”, që të dijë të qeverisë sipas drejtësisë e moralit (1 Mbr 3,9). “Zemra” pra, është një realitet i brendshëm, që përfaqëson ndërgjegjen e njeriut e pikërisht për këtë arësye, kjo fjalë citohet në Bibël gati 2 mijë herë.
Zemra është qendra e vetëdijes, simbol i arësyes dhe i vullnetit, i vendimeve dhe i moralit. Gjithnjë në Librin e Fjalëve të Urta lexojmë: “Zemra e njeriut kërkon udhën e vet…Zemra që sendergjon synime të mbrapshta” (Fu 16,9; 6,18). Siç thoshte Jezusi, nga zemra “rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepëruar për pasuri, mashtrime, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia” (Mk 7,21-22).
Përmes Hirit Hyjnor, zemra e ngurtë, që përshkruhet në Bibël, do të shndërrohet në diçka tjetër, me prirje drejt së mirës. “Unë do t’u jap një zemër tjetër”, i thotë Zoti Profetit Ezekiel, “nga trupi i tyre do të nxjerr zemrën e gurtë e do t’u jap një zemër të mishtë” (11,19).
Sigurisht, zemra është edhe simbol i dashurisë dhe i pasionit, aq është e vërtetë, saqë i dashuruari në Këngën e Këngëve thërret: “Ma plagose zemrën motra ime, nusezo, zemrën ma plagose me një shikim të syve të tu” (4,9), ndërsa në Librin e Fjalëve të Urta: “Mos t’i lakomjë zemra jote bukurisë” së gruas së tjetrit (6,25). Te zemra pra, përmblidhen të gjitha karakteristikat e cilësitë e shpirtit dhe zemra bëhet edhe një përmasë themelore e Hyjit njeri, siç përshkruhet në Shkimin Shenjt.Zoti ka një zemër që provon ndjenja, që merr vendime, që mendon: “Si të dorëzoj ty Izrael? …Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimba” lexohet për shembull, në Librin e Ozesë (11,8).
Edhe për Krishtin, Ungjijtë përmendin zemrën. Vetëm një herë e bëjnë këtë qartë, në një pikë me intensitet të jashtëzakonshëm: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë” (Mt 11,28-29). Nga kjo thirrje do të lindë devocioni tradicional për Zemrën e Krishtit, i cili mori hov sidomos me shenjten Margarita Maria Alakok (1647-1690), kanonizuar në vitin 1920 nga Papa Benedikti XV. Në Veprat e Apostujve (1,24 e 15,8) thuhet se Zoti është kardiognóstes, “i njeh zemrat”.
Prandaj, është e rëndësishme që njeriu ta shenjtërojë zemrën e vet e t’ia rezervojë Zotit thelbin e saj intim e të thellë. Domethënëse për këtë është besojma e famshme, që fillon me fjalën hebraike “Shemà”, “Dëgjo!”, shumë e dashur për hebraizmin. Ajo rrjedh nga Libri i Ligjit të Përtërirë: “Dëgjo Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde!” (6,4-5) Kjo frazë do të bëhet e dashur më vonë edhe për Jezu Krishtin, i cili do ta konsiderojë si “urdhërimin më të madh të Ligjit” (Mt 22,36-37). Si përfundim, feja që e vë në qendër zemrën nuk ka ndërmend përhapjen e ndonjë përshpirtërie sentimentale, por bashkimin e plotë e kushtimin e njeriut ndaj Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.