Sinodi për Afrikën: kontinenti të bëhet protagonist i fatit të vet
(15.10.2009 RV)Afrikanët duhet
të bëhen protagonistë të fatit të tyre: ky është urimi i sotëm i ipeshkvijve gjatë
Sinodit II për Afrikën, që vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë e paqes.
Sesioni i sotëm, i pesëmbëdhjeti, u karakterizua nga paraqitja e relacioneve të grupeve
të vogla. Në praninë e Papës Benedikti XVI, etërit sinodalë filluan të përvijojnë
tematikat e mundshme për t’u paraqitur në dokumentat përfundimtare të Asamblesë. Sipas
raportit të grupeve të vogla, puna e bërë deri tani është pozitive, por disa aspekte
duhen nënvizuar më tepër. Të tilla janë nevoja për mbrojtjen e ambientit, dallimi
më i mirë i thirrjeve të vërteta, vendosja e traditave afrikane në bazë të procesit
të pajtimit. Pikërisht në këto tradita janë të pranishme shumë elemente pozitive,
që mund të pajtohen me krishterimin, si riti i pranimit të fajit, ose premtimi për
të mos rënë sërish në gabim. Etërit Sinodalë sugjerojnë të përhapen më shumë tekstet,
që informojnë mbi Doktrinën e Kishës në fushën e seksualitetit, kërkojnë kujdes më
të madh baritor për punëtorët, për familjen dhe për gratë, duke përfshirë edhe rregulltaret.
Gjithashtu, duhet vëmendje për fenomenin e magjisë, e cila dëmton rëndë shoqërinë
afrikane, dhe për marrëdhëniet me Islamin, që duhen parë sipas rasteve, pasi myslimanët
në Afrikë ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Më shumë hapësirë i duhet dhënë
edhe problemit të emigracionit, parë në kuadrin e politikave ndërkombëtare dhe të
rolit qendror të Kishës në mbrojtje të të drejtave të njeriut e të dinjitetit të tij.
Përsëritet nevoja për të forcuar lidhjet ndërmjet Kishave lokale dhe asaj universale
e për të arritur unitetin e plotë në ato organizma, që përmbledhin Konferenca të ndryshme
Ipeshkvnore. Më tej, etërit sinodalë kujtojnë rëndësinë e mas mediave për komunikimin
kishtar e edhe për formimin e popullsisë: radioja e televizioni për shembull, mund
të kontribuojnë për të përçuar vlerat e jetës familjare. Përsa u përket vendeve në
krizë politike, në Sinod u tha që procesi i pajtimit duhet çpolitizuar e Kisha nuk
duhet të jetë kurrë peng e konflikteve institucionale. Ajo duhet t’i shoqërojë krerët
e vendit në ushtrimin e pushtetit, larg prej korrupsionit. Përveç kësaj, grupet
e vogla të Sinodit kërkojnë edhe masa të vendosura kundër trafikut të armëve e të
drogës e kundër pandemisë së Sidës, sidomos përmes ndryshimit të mënyrës së jetesës. Theksohet
më pas rëndësia e përkrahjes së shkollave dhe universiteteve katolike, e rregullave
të forta për personat e shuguruar, për të cilët duhet menduar një formim i vazhdueshëm,
e përfshirjes së laikëve në punën e ungjillëzimit. Së fundi, etërit sinodalë sugjerojnë
thirrjen e një Kongresi eukaristik kontinental, një takim panafrikan mbi gratë dhe
ngritjen e një forumi për lutjen ndërfetare, pasi në një vend ku ka konflikte e dhunë,
lutja e përbashkët është hapi i parë drejt paqes.