2009-10-15 18:06:24

Për herë të parë që prej një viti, Dow Jones mbyll me bilanc pozitiv. A është kapërcyer kriza?


(15.10.2009 RV)RealAudioMP3 Dje për herë të parë që prej një viti bursa amerikane e Nju Jorkut Dau Xhons e mbylli aktivitetin e saj me më se 10 mijë pikë, çka tregon qartë se ekonomia po rimëkëmbet pas krizës të thellë që filloi vjet. Optimizëm për këtë shprehu edhe presidenti Barak Obama. Po, a është kapërcyer me të vërtetë kriza? Në mikrofonin tonë përgjigjet Stefano Xamanji, docent i ekonomisë politike pranë universitetit të Bolonjës.

Përgjigje: Krizat kanë gjithmonë tre tregues: atë financiar, atë real dhe treguesin e punësimit. Është e vërtetë se i pari, ai financiar pra, është kapërcyer dhe ky është shkaku që Dau Xhons iu largua rrezikut, por faktori real nuk është kapërcyer ende ndonëse po kapërcehet. Sidoqoftë është faktori i punësimit ai që ngjall shqetësim, sepse të shifrat për punësimin për 2010 do të përkeqësohen edhe më tej në krahasim me 2009. Kjo do të thotë se papunësia do të rritet.

Pyetje: Pikërisht në këto çaste kur erdhi lajmi i mirë se bursa e Nju Jorkut e mbylli aktivitetin me bilanc pozitiv, u bë i njohur raporti i Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) mbi urinë në botë. Aty thuhet se ka më se një miliard njerëz që vuajnë nga uria. Pse ekonomia globale nuk është marrë kurrë seriozisht me këtë problem?

Përgjigje: Nuk është se nuk është marrë, porse asnjë nuk flet mbi këtë temë sepse kur flitet për kriza i referohemi vetëm të dhënave që kanë të bëjnë me fianancën. Kjo ndodh ngaqë veprohet pa ndershmëri intelektuale, sepse po falimentoi një bankë apo po qe se llogaritë financiare të disa ndërmarrjeve shkojnë teposhtë, të gjithë çirren e bërtasin, por kur marrim vesh se miliona vetë, kryesisht fëmijë, vdesin nga uria, atëherë thuhet: “Kjo nuk ka shumë rëndësi.” Me sa duket kultura jonë ekonomike nuk e ka përvetësuar ende konceptin se ekonomia është në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta! Të mbetesh skllav i një koncepti për ekonominë që i përket shekullit XIX të çon pikërisht në këto lloj arsyetimesh. Sigurisht, pastaj kur vjen vakti, – sepse herët a vonë vjen – ka shumë që kërkojnë ndihmë dhe kapin kokën me duar. Do të ishte mirë sikur këto gjëra t’i mendonin me kohë sepse ekonomia e tregut nuk mund të ekzistojë nëse pabarazitë në shpërndarjen e të mirave materiale, domethënë të ardhurat dhe pasuria, e kapërcejnë nivelin kritik.







All the contents on this site are copyrighted ©.