(14.10.2009 RV)Në Romë janë të njohura katakombet e Shën Kalistit, gjatë rrugës
Apia. Ndërmjet shumë varreve të nëndheshme të Qytetit të Amshuar, këto të Shën Kalistit
janë më të vizituarat, të famshme posaçërisht për ‘Kriptën e Papëve’. Por ndërmjet
shumë martirëve e papëve, që pushojnë në paqe në këtë vend, shtegtari e kërkon më
kot varrin e Kalistit. Ai, që i dha emrin këtyre katakombeve, që shënohet sot në
kalendarin e Kishës katolike e që nderohet si martir, nuk është aty. Fati i këtij
Shenjti, Papë në fillimet e shekullit III, është vërtetë i çuditshëm. Në kohën e vet
pati shumë kundërshtarë ndërmjet disidentëve të Romës, e pikërisht nga një shkrim
i kryetarit të këtyre të krishterëve të përçarë, dmth nga një antipapë, i kemi pothuajse
të gjitha të dhënat për Shën Kalistin. Natyrisht, duhen lexuar përmbys, sepse e paraqesin
shenjtin si njeri plot me gabime, gati-gati të denjë për t’u urryer. Shkruhet se para
se të bëhej papë, qe skllav e mashtrues. I ikur në Portugali, u arrestua e u mbart
në Romë, ku u dënua të bënte punë të detyruar në minierat e Sardenjës. Si u kthye
në Romë, duke përfituar nga një amnisti, u dërgua në Ancio. Ndërkaq Papa Zefirini
e thirri në Romë e i besoi kujdesin e varrezave të Kishës. Nisi kështu gërmimin e
varrezës së madhe poshtë rrugës Apia, që mban edhe sot e kësaj dite emrin e tij. E,
pas vdekjes së Zefirinit, u zgjodh papë e vijoi të kujdeset jo vetëm për shpirtrat
e të vdekurve, por edhe për ato të të gjallëve. Gjithsesi papnia e tij u pa me sy
armiqësor nga një krah i bashkësisë së krishterë të Romës, e cila e akuzoi, pa të
drejtë, për herezi. Qortohej për zell të paktë, ndërsa në një periudhë begatie, vendosi
të agjërohet në Kohën e Katërt. Përflitej për mungesë ashpërsie disiplinore, sepse
pranonte në Kishë mëkatarët e penduar e të krishterët që ishin ligështuar në kohë
rreziku.Por çfarëdo lloj reje e zezë që të jetë shtrirë mbi jetën e Shën Kalistit,
u davarit me vdekjen e tij. Papa Kalisti vdiq si martir. U hodh në një pus të Trasteverit,
gjatë një kryengritjeje kundër të krishterëve, në vitin 222. Trupi i tij u varros
përtej Lumit, gjatë rrugës Aurelia, larg nga katakombet, që i pati hapur në rrugën
Apia e që ruajnë emrin e Shën Kalistit, por jo reliket e tij.