2009-10-14 19:03:46

Kardinali Turkson: Etërit Sinodalë dëgjojnë britmën e grave afrikane!


(14.10.2009 RV)RealAudioMP3 Në Vatikan vijojnë punimet e Sinodit II të Ipeshkvijve për Afrikën, me temën e pajtimit, të drejtësisë e të paqes. Sipas programit, sot u diskutua, me porta të mbyllura, kryesisht për “Raportin pas diskutimit”. Dokumenti u paraqit dje pasdite nga kardinali Peter Turkson, referues i përgjithshëm i Sinodit. Në këtë tekst, Hirësia e Tij përmblodhi temat kryesore, që janë prekur deri tani në Sallë dhe diktoi vijat drejtuese, mbi të cilat duhet të vijojnë punën prelatët, duke pasur parasysh kryesisht, dokumentet përfundimtare të Asamblesë Sinodale.
Është një Kishë afrikane kryelartë për zanafillën e vet apostolike e krenare për ata që i prinë në fe kjo, për të cilën foli kardinali Turkson. Në vijim Hirësia e Tij nëvizoi se për ta kryer me sukses detyrën e saj për pajtimin, Kisha afrikane duhet ta rimendojë mënyrën e organizimit e të veprimit, duke u bazuar në drejtësinë e në besnikërinë ndaj misionit të saj. Kisha-familje e Zotit në Afrikë – vijoi Kardinali – duhet të shndërrohet nga brenda, për ta shndërruar kontinentin.
Apostullimi i saj, atëherë, duhet të ketë shumë aspekte, por referuesi i përgjithshëm vuri theksin vetëm mbi disa prej tyre: të çlirohet populli afrikan nga çdo frikë, duke përfshirë këtu edhe frikën nga magjia e okultizmi; të punohet për formimin në çdo fushë të jetës, nga katekizmi tek mjetet e komunikimit, nga politika tek kultura; të sfidohen e kaluara kolonialiste dhe shfrytëzimi, të përballohen kërcënimet e globalizmit.
“The issue of migration came up for special mention…”
Më pas kardinali Turkson kërkoi t’i kushtohet vëmendje e veçantë çështjes së emigracionit, parë edhe në lidhje me ligjet e vendeve perëndimore dhe ftoi të vlerësohet tema e ‘përkatësisë etnike’, për t’i prerë rrugën qëndrimeve raciste.
E nuk harroi edhe hijet, që dynden mbi shoqërinë afrikane, kryesisht në fushën e familjes, e cila kërcënohet nga ideologjia e ‘gjinisë’, nga etika e re seksuale globale, nga inxhinieria gjenetike e nga stilet e reja të jetesës, që nuk e përfillin martesën e burrit me gruan:
“The Church may see the present and persistent shadows in Africa…”
Por këto hije – vijoi kardinali Turkson – Kisha mund t’i shikojë si sfidë e mundësi për rritjen e saj të mëtejshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe grave, akoma të papërfillura nga kultura afrikane: etërit sinodalë e dëgjuan britmën e tyre – theksoi kardinali Turkson. Kisha-familje e Zotit, duhet t’u kundërvihet padrejtësive që u bëhen, siç janë bashkëjetesa me shumë gra, dhuna shtëpijake, diskriminimi në të drejtën e trashëgimisë e martesat e detyruara. Ata kanë nevojë të njihen si anëtare aktive në Kishë e në shoqëri!Kardinali Turkson preku edhe plagë të tjera, që trondisin Afrikën dhe pengojnë rrugën e zhvillimit të saj, si korrupsioni, mosrespektimi i demokracisë, organizmi i grushteve të shtetit dhe, në vijim, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së episkopateve afrikane në organizatat kontinentale, si Bashkimi Afrikan, gjithnjë në harmoni me veprimtarinë e Selisë së Shenjtë, për të nxitur e për të garantuar nismat e pajtimit, të drejtësisë e të paqes. Nuk harroi të vinte theksin edhe mbi pandeminë e Sidës, të kërkonte mbylljen e fabrikave të armëve, shmangien e luftës për ujin, përfundimin e grabitjeve të burimeve natyrore të Kontinentit, që nxisin ndeshjet ndërmjet fiseve dhe formimin e myslimanëve vullnetmirë, për kufizimin e tensioneve.
Në përfundim kardinali Turkson bëri një përmbledhje prej dymbëdhjetë pyetjesh. U takon Grupeve të vogla, tani, të gjejnë përgjigjet e nevojshme, nga të cilat do të arrihet, pastaj, në Propozimet përfundimtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.