2009-10-14 18:51:02

Imzot Miliore në OKB: është njeriu, burimi më i madh për zhvillimin


(14.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sfidat e shumta para bashkësisë ndërkombëtare për të arritur në një zhvillim më të madh e më të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror: kjo ishte tema e fjalimit që mbajti Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Çelestino Miliore, në Asamblenë e përgjithshme, që po mbahet në Pallatin e Qelqit në Nju Jork.
Demografia, familja, promovimi i gruas, emigracioni, arësimi, shëndeti i nënës dhe i fëmijës: të shumta çështjet e rëndësishme për të ardhmen e njerëzimit, 15 vjet pas Konferencës së Kajros mbi popullsinë e zhvillimin.
Nëse në vitin 1994 – kujtoi prelati – të gjithë mendonin se ishim përpara një shpërthimi demografik, që do të pengonte zhvillimin global, sot shohim se kjo përshtypje ishte e pabazuar. Zvogëlimi dhe plakja e popullsisë në shumë vende të zhvilluara kërkon tani politika për rritjen e lindjeve, që të sigurohet mirëqënia ekonomike. Shumë vende, dikur të varfëra, po zhvillohen me shpejtësi, të kërcënuar jo aq nga rritja demografike, se sa nga papërgjegjësia e qeverisjes ekonomike botërore dhe lokale. Për një shekull me radhë – nënvizoi imzot Miliore – janë bërë përpjekje për ta lidhur popullsinë me ushqimin, energjinë, burimet natyrore e krizat ambientale. Sot, shohim se në të vërtetë, janë personat pasuria më e madhe e botës. Po ashtu edhe familja, e cila njihet nga OKB-ja si element që nxit zhvillimin më të madh ekonomik e shoqëror. Sot, ajo duhet të përballojë sfidat e emancipimit të gruas në punë e në shtëpi, gjë, për të cilën është e nevojshme ndihma e qeverive.
E nëse personi është në qendër të politikave të zhvillimit – tha Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit në OKB – ashtu janë edhe emigrantët, të cilët shpesh shihen si pasojë e pashmangshme e globalizimit dhe paragjykimet ndaj tyre përdoren për të nxitur politika shpesh çnjerëzore.
Së fundi, imzot Miliore theksoi se është e rëndësishme që të gjithë të marrin arësimin e duhur dhe nënvizoi qëndrimin e Selisë së Shenjtë kundër abortit, si mjet për planifikimin familjar.








All the contents on this site are copyrighted ©.