2009-10-14 18:45:51

Dita ndërkombëtare për parandalimin e katastrofave natyrore: faji i njeriut për ndryshimin e klimës


(14.10.2009 RV)RealAudioMP3 Bie sot “Dita ndërkombëtare për parandalimin e katastrofave natyrore”. Sipas të dhënave të OKB-së, vetëm në vitin 2008 fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet e klimës e të ambientit kanë shkaktuar vdekjen e 235 personave dhe 25 milion refugjatë. Shumica e fatkeqësive dëmtojnë jugun e botës, siç shihet qartë edhe nga përmbytjet e fundit në Filipine, nga tërmeti shkatërrues në Indonezi dhe rrëshqitja e dheut në Mesina të Italisë. Për një reflektim mbi shkaqet dhe pasojat e këtyre fenomeneve e mbi gjendjen e planetit i morëm një intervistë drejtorit të Institutit italian të Biometeorologjisë, Xhampiero Maraki:
Shumë prej këtyre ngjarjeve, e sidomos frekuenca e këtyre evenimenteve të skajshme, kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por sot janë edhe më të shpeshta. Shkak është ndryshimi i klimës, i cili së paku në masën 95% është kryer nga njeriu. Po jap vetëm një shifër. Gjatë 400 milion vjetëve të fundit, përqindja e dioksidit të karbonit në atmosferë ka ndryshuar nga 220 deri në 290 pjesë për milion; gjatë 100 vjetëve të fundit ajo ka shkuar nga 290 deri në 380. Më duket se përpjestimi i këtij ndryshimi na tregon qartë se kujt duhet t’ia vemë fajin për klimën aktuale.
Shumë ekspertë mendojnë se ngrohja globale do ta pengojë zhvillimin e vendeve më të varfëra. Cili është skenari, që mund të imagjinohet për këto zona?
Mua më duket se sot, përveç ndryshimit të klimës, problemi qëndron te modeli ekonomik dhe te fakti se shfrytëzimi i burimeve natyrore, ashtu siç është bërë nga qytetërimi perëndimor, nuk mund të shtrihet në të gjithë botën. Duhet të kemi parasysh se secili prej nesh ka në dispozicion 2.500 metër katror tokë të kultivueshme: është një sasi vërtet shumë e vogël!
A janë të mjaftueshme objektivat që i ka vënë vetes bota për reduktimin e gazeve serë? A do të sjellin ndryshimet e shpresuara?
Janë diçka: më mirë se asgjë! Ideja ime është rishikimi i modelit të zhvillimit, që kemi ndjekur në dy shekujt e fundit. Sigurisht, është diçka e ndërlikuar, nuk e di nëse mund të bëhet me shpejtësi, por besoj se baza e gjithçkaje është kjo, pasi burimet aktuale janë të përshtatshme për një zhvillim që kap 200-300 milion vetë, por jo 6 miliardë.
Cilat janë rezultatet që prisni në të ardhmen?
Pres që nga Konferenca e Kopenhagenit të merren vendime më të mira mbi afatet, sepse nëse puna shtyhet deri në vitin 2050, mendoj se do të jetë vonë.
Sipas jush, cila është masa më urgjente që duhet të marrë bashkësia ndërkombëtare?
Është reduktimi i energjisë, pasi e përdorim me tepri. Sot, në vitin 2009, përdorim dyfishin e energjisë që përdornim në vitin 1980 e kjo pa ndonjë arësye, pasi që nga viti 1980 Perëndimi ishte i zhvilluar e në mirëqënie. Mendoj se përgjigjen e ka dhënë Papa në Enciklikën ku trajton temën e ambientit sëbashku me atë të ekonomisë: sot nuk mund të flitet për ambient, nëse nuk flitet për ekonomi!







All the contents on this site are copyrighted ©.