2009-10-14 19:03:02

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: në një botë shpesh të ethshme e të vështirë për t’u kuptuar, i krishteri nuk duhet të lodhet së krijuari lidhje vëllazërimi e paqeje.


(14.10.2009 RV)RealAudioMP3 Pranimi i të afërmit, falja e kërkimi i paqes kanë qenë gjithnjë shenjat dalluese të stilit të jetës së besimtarit të krishterë. E sot, në një kohë intolerance, paaftësie për të komunikuar e konfliktesh, bëhen më të rëndësishme se kurrë. E pohoi këtë Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot në Sheshin e Shën Pjetrit, duke marrë shtytje nga cilësitë shpirtërore e njerëzore të Pjetrit të Nderueshëm, një nga murgjërit më të mëdhenj mesjetarë të abacisë së Klyni-t.

I përket, pra, Mesjetës, ky shembull i ri, që i tregon botës bashkëkohore ç’ndikim mund të kenë vlerat e krishtera, kur bashkohen me cilësi njerëzore si drejtpeshimi, butësia, ndjenja e masës, shpirtmadhësia. Një nga figurat, që i përmbledh këto cilësi, është pa dyshim, ajo e Pjetrit, i cili njihet me titullin ‘Venerabile’ – ‘i Nderueshëm’, njëri nga abatët e shenjtë të Klyni-t, që e drejtoi manastirin e famshëm nga viti 1122, deri në vdekje, Natën e Krishtlindjes 1156. Drejtësi, ndershmëri, kthjelltësi mendimi, aftësi të jashtëzakonshme për të ndërmjetësuar: Benedikti XVI numëroi kështu, para mijëra njerëzve të pranishëm në katekizëm, vetitë e këtij murgu të lashtë, ‘asket i rreptë me vetveten, por jo me të tjerët, të cilët i kuptonte e i ndihmonte me gjithë zemër”:
“Me natyrë të ndjeshme e të përzemërt, dinte të bashkonte dashurinë për Zotin me dhimbsurinë për familjarët, sidomos për nënën e për miqtë. E çmonte miqësinë, posaçërisht atë me murgjërit e tij, të cilët ia besonin të gjitha të fshehtat, të sigurtë se do të mirëpriteshin e do të kuptoheshin”.
Nga gjithë këto virtyte të një njeriu, që jetoi njëmijë vjet më parë, del në mënyrë të veçantë në pah aftësia e tij për të falur, sepse - siç shkruante ai vetë – ‘Jam mësuar të duroj e të fal”. Prandaj Papa e paraqiti si shembull me vlerë edhe për sot, njëmijë vjet më vonë:
Mund të themi se ky abat i shenjtë është shembull edhe për murgjërit e krishterë të kohës sonë, me ritmin e ethshëm të jetës, në të cilën nuk janë të rralla episodet e intolerancës e të paaftësisë për të komunikuar, përçarjet e konfliktet. Dëshmia e tij na fton t’i lidhim ngushtësisht dashurinë për Zotin me dashurinë për të afërmin e të kërkojmë, pa u lodhur kurrë, krijimin e marrëdhënieve të vëllazërimit e të pajtimit”.
Në këndvështrimin shpirtëror e baritor – shpjegoi Papa – gjatë viteve të misionit të tij mesharak, Pjetri i Nderueshëm dallohej nga dashuria e jashtëzakonshme ndaj Eukaristisë – për të cilën – kujtoi Benedikti XVI – na la faqe-kryevepra, falë edhe talentit të tij të shquar letrar – si edhe nga nderimi i thellë ndaj Virgjërës Mari. Por duhet theksuar edhe mënyra sesi e kuptonte rolin e vet në Kishë: Abati shenjt nuk kujdesej vetëm për ata, që ishin brenda Kishës, por edhe për të tjerët, që ishin jashtë saj, posaçërisht për hebrenjtë e myslimanët:
Për të ndihmuar në njohjen e këtyre të fundit, mendoi se duhej përkthyer Kurani. Lidhur me këtë, një historian i kohëve tona, vëren: “Në mes të papajtueshmërisë së njerëzve mesjetarë - edhe më të mëdhenjve – ne admirojmë këtu një shembull tejet të lartë të sjelljes delikate, ku të çon dashuria e krishterë”.
Prandaj mund të themi – ripohoi Benedikti XVI – se kemi të bëjmë me një shembull ‘shenjtërie murgare’ të tipit benediktin. Vijon të na mësojë, në çdo kohë, se jeta, e cila përshkohet nga dashuria e thellë për Zotin, bëhet jetë e njeriut, që di të dashurojë, t’ia hapë zemrën të afërmit, të lypë faljen e të kërkojë paqen:
“Mund të themi, duke përfunduar, se ky stil jete, së bashku me punën e përditshme, që për Shën Benediktin përbën idealin e murgut, na përket edhe ne të gjithëve. E mund të jetë stil jete për të krishterin, që dëshiron të bëhet dishepull i vërtetë i Krishtit, të lidhë miqësi të fortë me Zotin, të jetë i përvujtë, plot zell për punë, i aftë të falë e të mbjellë paqe”.
Në përfundim të katekizmit, të cilin sot e përmblodhi në dhjetë gjuhë të ndryshme të botës, Papa u drejtoi, si zakonisht, përshëndetjet e tij, grupeve të ndryshme, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërmjet tyre, një përshëndetje të veçantë – Konsujve të Milanos e të Lombardisë, të cilët i nxiti të punojnë me zell të përtërirë në ndihmë të njeriut e të dinjitetit të tij. Më pas edhe përshëndetja drejtuar delegatëve ndërkombëtarë të Radio Marisë:“U jap zemër ta vijojnë veprimtarinë e tyre të rëndësishme në shërbim të përhapjes së Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.