2009-10-14 19:03:24

Benedikti XVI përshkruan figurën e Pjetrit të Nderueshëm, abat i Klyni.


(14.10.2009 RV)Në Clyni nuk pati asnjë abat, që të mos ishte i shenjtë” – pohonte më 1080 Papa Gregori VII e ripohoi sot Papa Benedikti XVI. Por ndërmjet tyre, spikat në mënyrë të veçantë personaliteti i Pjetrit Venerabile, të cilin Ati i Shenjtë ua paraqiti shtegtarëve si shembull e model gjatë audiencës së sotme të përgjithshme.
I lindur rreth vitit 1094 në zonën franceze të Alvernies, hyri që i njomë në manastirin e Sauxillanges, ku u bë murg e, më pas, i parë kuvendi. Në vitin 1122 u zgjodh abat i Klyni-t e në këtë detyrë mbeti deri kur vdiq, ditën e Krishtlindjes 1156, ashtu siç kishte dëshiruar.
Dashuronjës i paqes – shkruan biografi i tij Rodolfi – fitoi paqen në lumninë e Zotit, në ditën e paqes”.
I pajisur me talent të shquar letrar, la pas një mori veprash: Epistola e Këngë të përshpirtshme, kushtuar sidomos, Eukaristisë e Zojës së Bekuar.
Po kujtojmë vetëm disa nga mendimet e tij, me vlerë për çdo njeri, në çdo kohë:
Thoshte: “Me ata që e urrejnë paqen, duhet të jemi, mundësisht, njerëz paqësorë!” (Ep. 100, 1c fq. 261).
Ndërsa për vete shkruan: “Nuk jam nga ata, që nuk kënaqen me fatin e tyre... shpirti i të cilëve tronditet gjithnjë nga dyshimi... që ankohen se të gjithë të tjerët rrijnë duarkryq e vetëm ata dërmohen duke punuar!”(Ep. 182, p 425).
Aktuale porosia e Abatit mesjetar: “Nga një njeri mund të fitosh shumë më tepër duke e duruar, sesa duke ia nxirë jetën vazhdimisht”. (Ep. 172, 1c., fq. 409).
Me që, për arsye të detyrës, i duhej të bënte udhëtime të vështira në Itali, Angli, Gjermani e Spanjë, gjë që e shkëpuste dhimbshëm nga qetësia kundruese, rrëfen:
Endem nga një vend në tjetrin, lodhem, shqetësohem, trazohem, i zvarritur andej e këndej, duke u kujdesur jo për punët e mia, por për ato të të tjerëve, gjë që shkakton një trazim jo të vogël në shpirtin tim” (Ep. 91, 1c., fq 233).
E shton: “Por, nuk ushqehet nga shpirti i Jezusit, ai që nuk i ndjen plagët e korpit të Krishtit, kudo që hapen!”(Ep. 164, 1.c., fq. 347).Pjetri i Nderueshëm kishte shumë dëshirë për veprimtari letrare e jo më pak, talent. Nisi t’i shkruajë reflektimet e tij, i bindur se penda duhej përdorur si parmendë për të hedhë, në arën e kartës, farën e Fjalës Hyjnore” (Ep.20, fq. 38): nuk qe teolog sistematik, por mbeti kërkues i madh i misterit të Hyjit. Teologjia e tij i ka rrënjët në lutje, sidomos në atë liturgjike. Ndërsa ndërmjet mistereve të Krishtit, pëlqente më shumë atë të Shndërrimit, në të cilin parapërfytyrohet, misteri i Ngjalljes.







All the contents on this site are copyrighted ©.