2009-10-13 15:45:56

Pas akteve terroriste në Pakistan dhe në Afganistan është dora e talebanëve.


(13.10.2009 RV)RealAudioMP3 Ka kohë tashmë që një valë e re atentatesh ka përfshirë krejt Pakistanin dhe Afganistanin. Atentati më i fundit u krye dje në pazarin e Alpurit në kufi të këtyre dy shteteve ku kamikazja që u hodh në erë shkaktoi 45 të vdekur. Sipas analistëve ndërkombëtarë pas këtyre akteve terroriste fshihen talebanët të cilët duken sa kanë marrë në dorë kontrollin e të gjithë territorit. Më hollësisht mbi situatën në vend, të dëgjojmë docenten e historisë dhe të institucioneve të vendeve islamike pranë Universitetit Shtetëror të Milanos, Eliza Xhunki:

Përgjigje: Këto akte kryhen para së gjithash si hakmarrje për vdekjen e kryetarit të talabanëve Bejtullah Masud, i cili u vra nga amerikanët në gusht të këtij viti. Tjetër, këto atentate bëhen edhe si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të ndërmarra nga ushtria e Pakistanit në zonën e Suatit që patën filluar në maj dhe përfunduan në korrik. E në fund, ndoshta kemi të bëjmë edhe me paralajmërime ndaj autoriteteve pakistane të cilat po përgatiten për një ofensivë të re kundër talebanëve në Pakistan. Sidoqoftë them se duhet të kemi parasysh diçka: kësaj here janë bashkuar disa grupe të ndryshme, të pranishme në atë zonë prej vitesh të cilat kanë arritur të përparojnë dhe t’i konsolidojnë pozitat e veta pikërisht sepse kanë lindur lëvizje islamike ekstremiste me frymëzim rajonal dhe global.







All the contents on this site are copyrighted ©.