Papa Benedikti XVI do të vizitojë Sinagogën e Romës
(13.10.2009 RV)Papa Benedikti XVI do të shkojë për vizitë të dielën, më 17
janar 2010, në Sinagogën e Romës. Lajmi u dha sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit. Kjo
vizitë ishte lajmëruar prej kohësh, megjithëse akoma nuk dihej data. Takimi me bashkësinë
izraelite të kryeqytetit italian, shpjegon komunikata e Vatikanit, do të bëhet me
rastin e Ditës së 21-të për thellimin dhe zhvillimin e dialogut ndërmjet katolikëve
dhe hebrenjve, si edhe me rastin e Festës së “Purimit të Romës”, që bie pikërisht
në atë datë. Është një përkujtim i hebrenjve të Romës, të cilët në vitin 1793, para
hyrjes së trupave franceze, u rrethuan nga njerëzit e kryeqytetit, që u përpoqën t’i
vinin zjarrin getos, pavarësisht nga rojet që kishte dërguar Shteti papnor për ta
mbrojtur. Në atë çast, qielli u errësua dhe filloi një shi i rrëmbyer që e shuajti
zjarrin. Hebrenjtë e përkujtojnë ngjarjen si mrekulli, e cila njihet edhe me emrin
“Moed i Plumbit”, nga ngjyra e plumbtë e qiellit.