Nga Gdańsku, mesazhi përfundimtar i Ditëve shoqërore katolike: kurrë më luftë e dhunë
(12.10.2009 RV)Solidariteti është
ardhmëria e Evropës. Duke nisur nga Gdańsku (Dancigu), ku dje përfunduan
Ditët e para shoqërore katolike në Kontinent, bindja e thellë që udhëhoqi punimet,
do të frymëzojë tani Kishat e veçanta dhe 29 vendet pjesëmarrëse, përmes mesazhit
përfundimtar, i cili u lexua në një nga vendet më simbolike të qytetit polak. Binte
shi e drurët përkuleshin nga era e fortë në parkun e Tre Kryqeve, që të kujtojnë gjithë
të rënët në Luftën II Botërore. Por të 600 delegatët ishin të gjithë aty. Për të ripohuar,
me praninë e tyre, përveçse me fjalët e Mesazhit, thirrjen “Kurrë më luftë e dhunë!”.
Solidariteti, temë e këtyre Ditëve, është ilaçi më i mirë, që i kundërvihet luftës
e dhunës. Solidaritet në tri drejtime, siç pohon teksti: Ndërmjet breznive,
për të ndihmuar familjen e bazuar mbi martesën, për të mbrojtur jetën njerëzore, nga
zënia, në vdekjen e natyrshme dhe për t’i pranuar, me dashamirësi, të gjithë ata,
që kanë nevojë, duke përfshirë edhe emigrantët. E pastaj, solidaritet ndërmjet
qytetarëve të Evropës, për ta vënë ekonominë në shërbim të të gjithëve dhe në
mbrojtjen e më të ligështve, përmes masave më të suksesshme për pakësimin e varfërisë
dhe të përjashtimit nga radhët e shoqërisë. Së fundi, solidaritet i Evropës
me pjesën tjetër të botës, posaçërisht me Afrikën, për zhvillimin e një tregtie të
barabartë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë evropian, si dhe për promovimin
e paqes e të drejtësisë, bazuar mbi respektin e dinjitetin e njeriut. “Të gjithë
qytetarët evropianë, që i pranojnë këto perspektiva – nënvizohet në mesazh – duhet
të impenjohen personalisht për realizimin e tyre e të marrin mbi vete edhe përgjegjësitë
politike, në nivelet përkatëse”. Duhet të shmangim çdo rrezik çkurajimi e nihilizmi
të ri – përfundon teksti . Duhet të kemi besim në aftësitë që ka çdo njeri për t’i
dhënë, me kontributin e tij, formë të re Evropës së bazuar mbi vlerat.