2009-10-11 13:01:19

Sot Papa shpalli Shenjtorë, pesë të Lum.


(11.10.2009 RV)Sot, Benedikti XVI kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën për shenjtërimin e pesë të Lumëve.
Janë:
Zëgmund Shtensni Felinski (1822-1895): Ipeshkëv polak, themelues i Kongregatës së Motrave Françeskane të Familjes së Marisë;
Françisko Kol i Gitart (1812-1895): meshtar katalan i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë (Domenikanëve), themelues i Kongregatës së Motrave Domenikane të Zojës Nunciatë;
Jozef Damian de Vëster (1840-1889): Meshtar belg i Kongregatës së Zemrës së Krishtit e të Zojës dhe Adhurimit të përhershëm të Sakramentit të elterit;
Rafael Arnaith Baron (1911-1938): Meshtar spanjoll i Kongregatës Cistercense të Klauzurës së plotë;
Maria e Kryqit (Zhan) Zhigâ (1792-1879): virgjër franceze, themeluese e Kongregatës së Motrave të Vogla të të Varfërve.

Të njihemi shkurtimisht me jetën dhe shembullin e tyre të shkëlqyer, gjithnjë aktual:ù
Zëgmund Shtensni Felinski ishte ipeshkëv titullar i Tarsit e kryeipeshkëv i Varshavës, ku zhvilloi një veprimrtai të jashtëzakonshme për rilindjen shpirtërore e morale, duke u kujdesur posaçërisht për përgatitjen e klerit, katekizmin në gjirin e popullit, ndihmesën e të varfërve e të fëmijëve.
Lindi në Ukrainën e sotme; studioi në Moskë e në Shën Peterburg ku, më 1857, themeloi Kongregatën e Motrave të Familjes së Marisë. Për shkak të besnikërisë ndaj Romës e të lidhjeve me Selinë Apostolike pa ndërmjetësimin e qeverisë cariste, më 14 qershor 1863 u dënua me internim në Siberi, ku vijoi t’u jepte ndihmë shpirtërore katolikëve dhe bashkëvuajtësve. Po cili është shembulli që na la trashëgim? Përgjigjet motra Tereza Antonieta Fracek, françeskane e familjes së Marisë dhe postulatore e Çështjes së Shenjtërimit:

Përgjigje: - Ishte njeri tejet i thjeshtë, i përvujtë, i varfër, si Shën Françesku. Njihej me epitetin ‘Apostull i harmonisë kombëtare dhe i vëllazërimit ungjillor”. Krishti ishte për të e vërteta e jeta. Na kujton se edhe ne duhet t’i shërbejmë Zotit me të njëjtën thjeshtësi, duke e jetuar Ungjillin si Shenjti i ri, që pati besim të pakushtëzuar në Provaninë Hyjnore, duke u bërë edhe ne, në jetë e në punë, burim i thjeshtësisë e i paqës, ashtu si Shën Zëgmundi.

Françisko Kol i Guitart, meshtar domenikan, jetoi në Barcelonë të Spanjës, në periudhën e ligjeve antikishtare, që e detyruan ta linte kuvendin, por jo thirrjen e tij domenikane për t’u predikuar të gjithë njerëzve Ungjillin, së cilës i qëndroi besnik për gjithë jetën. E jetoi këtë thirrje pa kuvend e pa zhgun, sepse deri zhguni ishte plotësisht i ndaluar në Spanjën e kohës.
Postulatori i tij, domenikani atë Vito Tomaz Gomez na përcjell mesazhin e Shën Françiskos për ditët tona:

Përgjigje: - Besnikëri ndaj thirrjes së Zotit, deri në fund, sepse është Zoti ai që na thërret. Mesazhi i tij është ai ungjillëzimit, i besnikërisë, që në kushtet e persekutimit, arrin në shkallën më heroike, i impenjimit misionar për mbarë botën, nga Evropa në skajet më të largëta të Planetit. Mbarë bota ishte fusha e misionit të tij për përhapjen e Ungjillit.

Nuk është e lehtë ta përmbledhësh me dy rreshta një jetë, si ajo e Jozef Damian de Vëster, aq të pasur me ngjarje, flijime, fitore, pastërti, dëgjesë, varfëri, përvujtëri. Shenjti i ri mbetet në kujtesën e popullit të Zotit si dëshmitar e shërbëtor i Hyjit, si Mjek i korpit e i shpirtit, si Apostull i të gërbulurvre, Farëhedhës i ekumenizmit, Njeri i Eukaristisë, Zë i njerëzve që nuk kanë zë, Lajmëtar i shpresës.
Shërbëtor i Zotit, Damiani është e do të jetë për ne të gjithë, shërbëtor i njeriut i cili, më shumë se për të jetuar, ka nevojë për të kuptuar pse e si duhet të jetojë.
Ja pra, ky është Damiani, i cili sot na sfidon të gjithëve.

Rafael Arnaith Baron, oblat i Urdhërit Cistercens, jetoi në shekullin e kaluar. Djalosh i zjarrtë, plot jetë, i zgjuar e gjithnjë i shkëlqyer në bankat e shkollës, me prirje të jashtëzakonshme për arkitekturë, kishte mundësi të pakushtëzuara për t’u ngjitur në shkallët më të larta të shoqërisë së kohës. Por shpirti i tij ishte tepër i ndjeshëm, për të gjetur tek karriera, realizimin e plotë të vetvetes. Zgjodhi, prandaj, jetën e manastirit, ku iu desh të luftonte kundër sëmundjes së rëndë të diabetit, që i shkaktoi shumë vuajtje deri sa vdiq, në moshën 27 vjeçare.
Po, si u arrit që Murgu i panjohur cistercens, që përbuzi ngjitjen në shkallët e karrierës, aq të lakmuar edhe në ditët tona, të ngrihej deri në nderimin më të lartë, atë të elterit?
Na përgjigjet postulatorja e Çështjes së Shenjtërimit të tij, rregulltarja trapiste, motra Augusta Teskari:

Përgjigje: - Rafaeli e zbuloi vetveten përmes shkrimeve, sepse ai shkruante me lehtësi të madhe e la shumë letra shpirtërore. Kur vdiq, të gjithë e qanë si murg tejet të përshpirtshëm, ndonëse jetoi në kuvend si oblat, domethënë si rregulltar pa kushte, për shkak të sëmundjes, që e pengoi ta jetonte plotësisht rregullën e shtrënguar cistercense: zuri kështu, deri në vdekje, një vend fare të parëndësishëm, vendin e fundit. Por ai e pranoi me gjithë zemër këtë vend, që i krijoi mundësinë të jetonte, përmes Eukaristisë e devocionit për Zojën e Bekuar, një lidhje të thellë me Hyjin, të kuptonte madhështinë e Hyjit, mirësinë e Hyjit, mëshirën e atij, që është Zotëria i historisë.
Na kujton se edhe ne mund të flasim me Jezusin, si flitet me mikun më të ngushtë të zemrës, që na dëgjon, na kupton, na ndihmon në çdo situatë të jetës.

Maria e Kryqit (Zhan) Zhigâ, jetoi ndërmjet shekujve XVIII e XIX e, që në moshë të re iu kushtua të varfërve e nevojtarëve. E pikërisht për ta themeloi Kongregatën e Motrave të Vogla të të Varfërve, duke mbledhur rreth vetes gra të tjera, që dëshironin t’i kushtoheshin Zotit, për t’u shërbyer njerëzve të përjashtuar nga radhët e shoqërisë.Atë Vito Tomaz Gomes, domenikan e postulator i Çështjes së Shenjtërimit të Gruas që mbeti në kujtesën e popullit të Zoti, si Maria e Kryqit, na përcjell mesazhin e saj:

Përgjigje: - Na fton të ecim në rrugën e varfërisë, si rrugë në shërbim të Mbretërisë së Hyjit. E t’i shërbesh kësaj Mbretërie, do të thotë të vësh në qendër të jetës Jezusin e Marinë, ta ndjesh në çdo çast praninë e Hyjit, të lutesh pareshtur, ta duash të afërmin e varfër e nevojtar, t’i japësh ndihmë shpirtërore e materiale, t’i duash pleqtë e braktisur, ta duash Kishën, të jetosh në përvujtëri të plotë, një jetë të fshehur në Krishtin, në Hyjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.