2009-10-10 15:51:38

Nesër Papa do të shpallë Shenjtorë pesë të Lum, ndërmjet të cilëve, apostulli i të gërbulurve, Damian de Vëster: mesazhi i Obamës.


(10.10.2009 RV)Nesër, duke nisur nga ora 10. 00, Benedikti XVI do të kryesojë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën për shenjtërimin e pesë të Lumëve. Janë:
Zëgmund Shtensni Felinski (1822-1895): Ipeshkëv polak, themelues i Kongregatës së Motrave Françeskane të Familjes së Marisë;
Françisko Kol i Gitart (1812-1895): meshtar katalan i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë (Domenikanëve), themelues i Kongregatës së Motrave Domenikane të Zojës Nunciatë;
Jozef Damian de Vëster (1840-1889): Meshtar belg i Kongregatës së Zemrës së Krishtit e të Zojës dhe Adhurimit të përhershëm të Sakramentit të elterit;
Rafael Arnaith Baron (1911-1938): Meshtar spanjoll i Kongregatës Cistercense të Klauzurës së plotë;
Maria e Kryqit (Zhan) Zhigâ (1792-1879): virgjër franceze, themeluese e Kongregatës së Motrave të Vogla të të Varfërve.

Sot presidenti i SHBA-ve, Barak Obama vlerësoi lart figurën e Damian de Vëster. Në një komunikatë, fituesi i Çmimit Nobel për Paqen 2009, që ka lindur në Honolulu, kujton histori të ndryshme, dëgjuar në rini, mbi veprimtarinë e palodhshme të Atë Damianit për të gërbulurit e Havait. “Atë Damiani – lexohet në notën e Shtëpisë së Bardhë – sfidoi plagët e tmerrshme të sëmundjes, duke i dhënë zë atij që s’kishte zë, derisa flijoi jetën, për t’u rikthyer dinjitetin njerëzve të panumërt”.
Në kohën tonë – vijon Obama - përballë miliona të sëmurëve, posaçërisht viktima të Sidës, duhet të ndjekim shembullin e Atë Damianit për t’iu përgjigjur kërkesës urgjente të kujdesit për të sëmurët.
Presidenti amerikan bashkohet në lutje me besimtarët e të gjitha feve, me Atin e Shenjtë e me miliona katolikët në mbarë botën, në kremtimin kushtuar shenjtorëve të rinj, ndërmjet të cilëve, njeriu me jetë të jashtëzakonshme, dëshmitari i Krishtit, Atë Damiani.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.