2009-10-10 16:14:14

Dinjiteti i Afrikës së harruar: editorial i Atë Lombardit.


(10.10.2009 RV)Mbi ditët e para të punimeve sinodale, të ndjekim editorialin e Atë Federiko Lombardit për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, titulluar “Dinjiteti i Afrikës së harruar”:

 
“Afrika është akuzuar tepër gjatë nga mediat për gjithçka që neverit njerëzimin; ka ardhur koha për të ‘ndërruar marshin’ e për të thënë, me dashuri, të vërtetën për Afrikën, duke nxitur zhvillimin e Kontinentit, që do t’i sjellë mirëqenie mbarë botës. Shpresohet se kërkimi i pajtimit, drejtësisë e paqes, thellësisht i krishterë, për faktin se i ka rrënjët në dashuri e në mëshirë, do të rivendosë unitetin e Kishës-familje e Zotit në Kontinent, e se kjo e fundit, si kripë e tokës e dritë e botës, do ta shërojë ‘zemrën e plagosur të njeriut, ku duhet kërkuar shkaku i çdo gjëje, që destabilizon Kontinentin afrikan’. Në këtë mënyrë kontinenti e ishujt e tij do t’i kuptojnë mundësitë e dhuratat, që u ka bërë Zoti”.
Kështu u shpreh kardinali Turkson, duke sintetizuar shpresat, që frymëzojnë Sinodin për Afrikën, i cili vijon në Romë. - Një asamble vërtetë afrikane e universale njëkohësisht, e cila do të japë, me siguri, një ndihmesë të shquar për ta ripohuar e për t’ia paraqitur Kishës universale e botës, dinjitetin e Afrikës, e cila tepër shpesh është harruar. Dinjitet njerëzor, kulturor, shpirtëror, fetar, kristian.
Patriku etiopik pohoi se Etiopia qe i fundmi komb, që besoi në Krishtin, që nga kohët apostolike. Mesazhi i Krishtit nuk është trashëgimi koloniale; Lajmi i mirë u përfshi që në fillim në kulturat afrikane dhe dëshmoi se është i aftë të zbresë deri në zemër të tyre, për ta shëruar e për ta lulëzuar jetën e të gjithë familjes njerëzore. Duhet të mësojmë ta themi gjithë të vërtetën për Afrikën, me respekt e dashuri".







All the contents on this site are copyrighted ©.