Sot me 9 tetor kalendari Kishtar përkujton shën Dionizin, ipeshkëv e shokët, martirë
(09.10.2009 RV)Emri i Shenjtit, që
Kisha katolike e kremtoi sot, duket në disa dokumente të rëndësishme, të gjitha të
shkruara rreth shekujve V-VI, siç janë ‘Jeta e Shën Gjenovefës’, ku flitet për ndërtimin
e Kishës së Shën Dionizit në Paris, në vitin 475; vepra e historianit-poet, Venancio
Fortunato, vdekur rreth vitit 600, që përshkruan edhe ai kishën e Shën Dionizit në
Paris dhe një kishë tjetër kushtuar Shenjtit në Bordo e, së fundit, ‘Historia e frankëve’
e Shën Gregorit të Turit (vdekur më 594), që përshkruan me hollësi jetën dhe martirizmin
e Shën Dionizit. Çuditërisht në veprat e këtyre autorëve, mungojnë të dhënat për
shokët e tij të martirizimit e të apostullimin, që ishin Rustiko, prift edhe Eleuteri,
diakon. Emrat e tyre duken për herë të parë në shekullin VI-VII në “Martiriologun
Jeronimian”. Sipas traditës, Shën Dionizi qe ipeshkvi i parë i Parisit, i dërguar
në Gali nga papa Fabiani në vitin 250. U martirizua së bashku me Rustikon e me Eleuterin.
Reliket e Shenjtit ruhen në bazilikën ngritur mbi varrin e tij në vitin 495 nga Shën
Gjenovefa. Pranë kësaj bazilike, në shekullin VII, u ngrit edhe abacia e njohur, që
mori emrin e Shën Dionizit. Emri Dioniz vjen nga greqishtja e do të thotë: i kushtuar
Dionizit apo hyjnisë pagane, Bakut. Simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor e palma.
Është i pranishëm në Martiriologun Romak.