2009-10-09 17:18:32

Presidentet e Konferencave ipeshkvnore evropiane për ndërtimin e Evropës së vërtetë. Imzot Mirdita flet për Shqipërinë


(09.10.2009 RV)RealAudioMP3 Presidentet e Konferencave ipeshkvnore të Evropës janë takuar në javën e parë të tetorit në Paris, me rastin e Asamblesë Plenare vjetore mbi temën : “Marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit”. “Ndërtimi i Evropës më të vërtetë është aventurë që ia vlen të jetohet e të çohet përpara, prandaj nuk duhet të ndalemi anëve të shtegut, por të vijojmë udhën”. Kështu shkruajnë presidentet e 37 Konferencave ipeshkvnore evropiane në mesazhin përfundimtar të asamblesë së tyre, që përfundoi me kremtimin e Meshës në Katedralen Notre Dame të Parisit.
“Para njëzetë vjetësh kemi qenë dëshmitarë të rënies së murit të Berlinit. Kjo ngjarje, që e shënoi historinë, qe përgatitur prej njerëzve të bindur e guximtar që nuk u tërhiqen prapa për shkak të mungesës së lirisë”.
Njëzet vjet pas - vërejnë kardinajtë e ipeshkvijtë evropian që kryesojnë Konferencat ipeshkvnore kombëtare - konstatojmë se hovi i jashtëzakonshëm evropian, është dobësuar tej mase. Konsumizmi, individualizmi e relativizmi janë helmët shpirtërore që na shqetësojnë. Në mënyrë të veçantë, thonë ipeshkvijtë evropianë, sot shkaktojnë shqetësim “shumë propozime ligjesh, në Vendet tona apo pranë institucioneve evropiane, që shkojnë kundër së mirës së vërtetë të njeriut e të shoqërisë”. Megjithëkëtë shpresa nuk duhet të mungojë kurrë. “Mbrojtja e jetës, që nga zanafilla deri tek vdekja natyrore, nuk është kauzë e humbur”, shkruajnë ipeshkvijtë evropianë. E sidomos ekziston forca e Ungjillit dhe vizioni i njeriut, që sot ashtu si dje, - përfundon Mesazhi - duam ta vejmë në shërbim të ndërtimit të Evropës. Për ta ndihmuar të rritet më të vërtetë”.
Në Asamblenë Plenare të Konferencave ipeshkvnore të Evropës, mori pjesë edhe presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit i vlerëson si të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit në Shqipëri dhe shpreh gatishmërinë e Kishës për një bashkëpunim të më tejshëm me Shtetin në fusha të ndryshme shoqërore si në atë arsimore, shëndetësore e tjera. Imzot Mirdita vuri në pah marrëveshjet që janë nënshkruar ndërmjet Shqipërisë e Vatikanit dhe njohjen juridike të Kishës nga ana e Shtetit Shqiptar. Po ta dëgjojmë intervistën tonë me imzot Rrok Mirditën....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.