Shqipëria e Kosova, bashkëpunim sipas standardeve që ekzistojnë mes vendeve anëtare
të BE-së
(08.10.2009 RV)Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha siguroi sot se "qeveria
shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që mes Shqipërisë dhe Kosovës të vendoset
shkalla më e ngushtë e bashkëpunimit dhe standardet që ekzistojnë mes vendeve anëtare
të BE-së". Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë
informoi mbi vizitën e tij dyditore në Kosovë, si dhe mbi projektet e mëdha infrastrukturore
që do të ndërmarrë qeveria shqiptare për të forcuar lidhjet mes dy vendeve.
"Kësaj here mu krijua përshtypja sikur po udhëtoja në mrekullinë shqiptare, pasi gjeta
në Kosovë vlerat e mëdha të krijuara nga kombi shqiptar dhe shtyllat solide për të
ardhmen e Kosovës, të cilat janë vendosur në një kohë të shkurtër 20 mujore", tha
Kryeministri i Shqipërisë Berisha. Duke informuar mbi takimet intensive me
autoritetet më të larta të Kosovës, Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se "me
Kryeministrin HashimThaçi u ra dakord për intesifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve
ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës". "Ne nënshkruam marrëveshje shumë
të rëndësishme për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, luftën kundër kriminalitetit
dhe marrëveshje të tjera, si dhe ramë dakord që të punojmë intesivisht për finalizimin
e një kuadri ligjor bashkëpunimi më të gjerë dhe të standardeve më të mira europiane",
tha Kryeministri Berisha. Duke siguruar se bashkëpunimi do të shtrihet në
të gjitha fushat, Kryeministri u shpreh se Kosova është një vend në ndërtim, me një
gjallëri të pamohueshme me një dinamizëm ekonomik, por për fat të keq eshtë e bllokuar
në krahun verior të saj, sepse nuk zbatohet marrëveshja e tregëtisë së lirë".
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "autostrada Durrës-Kukës-Morinë ka dhënë
një frymëmarrje të madhe në fushën e transportit, por është e nevojshme që të përzgjidhet
menjëherë një kompani konsulence për të bërë fizibilitetin për hekurudhën që do të
lidh Shqipërinë me Kosovën". "Ne kemi segmentin hekurudhor me Malin e Zi dhe
do të plotësojmë edhe kilometrat e mbetura me Maqedoninë, por lidhja hekurudhore me
Kosovën ka një rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht pas ndërtimit të portit të
Vlorës, i cili për efiçensën e tij kërkon lidhjet më të fuqishme me rajonin", tha
Kryeministri Berisha. "Nuk mund të themi se do të fillojë ndërtimi i kësaj
hekurudhe gjatë këtij mandati, pasi buxheti për projektet është përcaktuar, por le
të jetë gati projekti për mandatin tjetër. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që
të fillojë ndërtimi kur të bëhet projekti, sepse mund të kemi ndihmën e partnerëve
ndërkombëtarë, si një projekt rajonal mjaft i rëndësishëm", tha Kryeministri Berisha.
Porti i Vlorës, tha Kryeministri Berisha "do të jetë porti më i madh i kontenierëve
në Mesdhe dhe kjo gjë kushtëzon forcimin e transportit hekurudhor". "Në këtë kontekst
edhe linja hekurudhore Tiranë-Vlorë duhet të ristrukturohet në funksion të portit
të Vlorës", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen
për Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili e nderoi me medaljen e lirisë. "Unë
isha në Prekaz, ku vizitova familjen Jashari. Nuk ka një familje tjetër në kombin
shqiptar që të jetë flijuar me 53 anëtarë të tjerë të familjes si Adem Jashari, duke
u shndërruar në legjendë frymëzimi, në një kohë kur pak veta mendonin se ajo luftë
do të sillte rezultatet që solli", vijoi Kryeministri Berisha. Vlera të jashtëzakonshme
lirie janë krijuar në Kosovë, tha Kryeministri Berisha duke siguruar se "Shqipëria
do të ndihmojë me të gjitha mundësitë e saj për promovimin dhe njohjen ndërkombëtare
të Kosovës". Për sa i përket standardeve që po krijohen në Kosovë për liritë
dhe drejtat e minoriteteve, Kryeministri Berisha vlerësoi se "ato janë standardet
më të mira të vendosura në rajon dhe në Europë që kanë bërë të ulen shumë tensionet
ndëretnike dhe të kthehen të shpërngulurit me besim për të ndërtuar të ardhmen e tyre
në Kosovë". "Në Shqipëri ne kemi 18 komuna minoritare tërësisht homogjene,
por në mënyrë absolute unë nuk kam asnjë dallim kur shkoj në Derviçan apo kur shkoj
në Libohovë", tha Kryeministri Berisha duke përshëndetur gjithashtu edhe shembullin
që jep Kosova me përfshirjen në parlament të përfaqësuesve të pakicave. Duke
informuar mbi takimet me përfaqësuesit e biznesit kosovar, Kryeministri Berisha vuri
në dukje se "ka gjetur një interes shumë të madh të këtij biznesi për të investuar
në Shqipëri", sikundër ftoi kompanitë shqiptare që të marrin pjesë në proceset e privatizimeve
që po ndodhin në Kosovë. Si një moment të veçantë të vizitës së tij në Ksoovë,
Kryeministri Berisha veçoi edhe nderimin që i bëri Universiteti i Prishtinës me dorëzimin
e titullit "Honoris Causa". "Universiteti i Prishtinës, në historinë e kombit ka një
vend nderi në historinë e kombit. Gjatë vizitës sime unë bëra dhe homazhe te varri
i Presidentit Rugova, i cili mbetet një nga personalitetet më të rralla në historinë
e Kosovës, arkitekti i Kosovës së pavarur", tha Kryeministri Berisha. Ndërsa
në takimin me përfaqësuesit opozitar të Kosovës, Kreu i Qeverisë shqiptare vuri në
dukje se "i ftoi ata të bëjnë një opozitë konstruktive në prag të zgjedhjeve të para
pas pavarësisë së Kosovës". Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Kryeministri Berisha
u takua edhe me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare të cilat sipas tij "kanë
dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për paqen, stabilitetin dhe forcimin e institucioneve
në Kosovë. "Problemi më kryesor i Kosovës është problemi ekonomik, ndaj urojmë
që komuniteti ndërkombëtar të organizojë një konferencë tjetër donatorësh", tha Kryeministri
Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha u shpreh se qëndrimi i tij dyditor
në Kosovë kulmoi me vizitën e tij në Prizren ku u nderua me Titullin "Qytetar Nderi
i Prizrenit". "Prizreni është një qytet jashtëzakonisht i çmuar për kombin
shqiptar, një qytet i lashtë që në kohërat më të vështira të kombit mblodhi elitën
shqiptare dhe krijoi qeverinë shqiptare për të kundërshtuar planet makabre të fuqive
të mëdha të asaj kohe. Në Prizren u themelua pavarësia e Shqipërisë dhe Kosovës, pasi
pa idealin e Prizrenit Shqipëria dhe Kosova nuk do të ishin të pavarura", tha Kryeministri
Berisha.nga ATSH-ja