2009-10-08 17:47:26

Koncert përkujtimor, kushtuar 70-vjetorit të fillimit të Luftës II Botërore, në praninë e Papës dhe të Presidentit italian, Napolitano.


(08.10.2009 RV)Benedikti XVI dhe Presidenti i Republikës italiane, Xhorxho Napolitano, ndoqën sonte, në Auditorin e Rrugës së Pajtimit, në Romë, koncertin e titulluar “Të rinjtë kundër luftës”.
Shfaqja, që filloi në orën 18.30, inkuadrohet në kremtimet kushtuar përkujtimit të 70-vjetorit të fillimit të Luftës II Botërore. Protagoniste, orkestra gjermane Ndër-rajonale, JugendsinfonieOrchester, drejtuar nga Johem-Hohshtenbah e Volfgang Gënenvain, luajti pjesë të zgjedhura nga kompozimet e muzikantëve Gustav Mahler e Felix Mendelson-Bartoldi, të dy artistë me prejardhje hebraike, që u kthyen më pas në fenë e krishterë: Mahler, në fenë katolike e Mendelson, në atë protestante. E që të dy u detyruan të ballafaqohen me antisemitizmin e me urrejtjen racore. Ja pse u zgjodh muzika e tyre e jehuan lirisht, tingujt e ndaluar gjatë regjimit nazist.
Koncerti u organizua nga Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe Komisioni i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, në bashkëpunim me ambasadën e Gjermanisë pranë Selisë Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.