Sot me7 tetor Kisha kremtoi Zojën Rruzare. Papa: Rruzaraj është lutje për të gjithë
(07.10.2009 RV)Sot me 7 tetor - siç kujtoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme
- Kisha kremton festën e Zojës Rruzare. Një festë është themeluar nga Shën Piu V,
Papë për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër
flotës turko-islame. Pra shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke
na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos. Siç përmendem më
7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korinthit, koalicioni
i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri
në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha.
Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte
një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që
e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt
"Shën Maria e Fitores". Rruzarja lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman.
Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve
(Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku
mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit të Krishtit duke recituar lutjen e të
Falemi Marisë. Rruzarja është pra një uratë për gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë
pohoi Benedikti XVI: “Rruzarja është lutje kundruese së cilës të gjithë mund
t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur.
Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin,
për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është
sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës,
për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë” (nga homelia e Meshës në
Pompei, 19 tetor 2008) Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe
u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës
Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret
e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër. Nga Shenjtëroret e
shumta që i kanë lartuar popujt në të katër anët e botës, Zoja Rruzare u drejton të
gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri
që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.