2009-10-07 16:53:24

Më shumë solidaritet e shoqëri civile: këto janë rekomandimet e imzot Miliores në OKB


(07.10.2009 RV)Nuk do të kemi reformë të vërtetë të Kombeve të Bashkuara, nëse nuk do të dëgjohen edhe zërat nga shoqëria civile. Kështu foli Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Çelestino Miliore në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme.
Nga shoqëria civile, shpjegoi imzot Miliore, vijnë kritikat për ndihmat humanitare, për promovimin e rolit të drejtësisë dhe denoncimet për dhunimet e rënda të të drejtave të njeriut. Të punohet sëbashku me organizatat e shoqërisë civile është sfida që duhet të përballojë tani OKB-ja.
Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit vuri në dukje disa detyra për të ardhmen. Së pari, Konferenca e Kopenhagenit mbi klimën, ku kombet duhet të marrin përsipër përgjegjësinë për ta shfrytëzuar planetin në mënyrë më racionale. Më pas, çështja e përdorimit të energjisë bërthamore, për të cilën imzot Miliore uroi një zgjidhje ndërkombëtare e të pavarur nga vendet e veçanta.
Duke kujtuar krizën globale, ai kërkoi më shumë solidaritet për ato vende, që nuk arrijnë të dalin lehtë nga vështirësitë e fundit ekonomike. Që ndihma për zhvillim të jetë e frytshme, theksoi në fund Vëzhguesi i Vatikanit në OKB, duhet të nxisë në pushtetin lokal përgjegjësinë për të përballuar problemet kronike në nivelin politik, administrativ dhe shoqëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.